Palmer: Është koha për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, sugjeroi se është koha për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe rikujtoi mesazhin e presidentit amerikan Donald Trump se negociatorët duhet të shfrytëzojnë “mundësinë historike” për të arritur atë.

Matthew Palmer u bëri thirrje të dyja palëve që të shmangin hapat që e bëjnë kompromisin të vështirë.

Po ashtu Palmer theksoi se SHBA-ja nuk është pjesë e negociatave, por ajo mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve thelbësore për aspiratat e tyre evropiane, shkruan Danasa, përcjell lajmi.net.

“Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjë vend apo rajon. Ne do të shqyrtojmë seriozisht çdo marrëveshje që i plotëson këto kushte”, tha Palmer.

“Ne inkurajojmë të dyja palët që të udhëheqin plotësisht procesin, të reduktojnë retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive drejt marrëveshjes. Serbia dhe Kosova janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme, asnjëra palë nuk do të jetë në gjendje për të ecur përpara, pa marrëveshjen e normalizimit të plotë”, tha tutje Palmer.

Palmer përsëriti se Shtetet e Bashkuara i shohin Serbinë dhe Kosovën si dy shtete sovrane që kanë nevojë për të marrë vendime në interesin e tyre më të mirë.

“SHBA mbetet e angazhuar për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës si dhe partneritetin me Kosovën dhe Serbinë”, tha Palmer.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se interesat e Kosovës dhe Serbisë do të arrihen më së miri përmes një marrëveshje dypalëshe që do të çonte në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke. 

Të ngjashme