Palmer në “Forumin e Prespës” thotë se Kosovës duhet t’i hiqen vizat

Prishtinë | 01 Kor 2021 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësndihmës Sekretari i Zyrës për Çështjet Euroaziatike, Matthew A. Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara kanë mbetur të zhgënjyera nga vendimi i Bashkimit Europian për të mos nisur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nga Forumi i Prespës për Dialog, diplomati amerikan tha se BE-ja gjithashtu duhet të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Për të realizuar potencialin e plotë të këtij rajoni, liderët duhet të bëjnë më tepër se premtime, duhet të marrin masa dhe të zgjidhin çështjet politike brenda dhe jashtë vendit, të fuqizojnë demokracitë multietnike dhe sistemet e drejtësisë dhe të lëvizin drejt së ardhmes”.

“Është jetike që BE-ja të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq”, tha Palmer në fjalën e tij./ A2 CNN

Të ngjashme