PAN dhe AKR nënshkruajnë marrëveshje në shtëpinë e Pacollit

Prishtinë | 04 Sht 2017 | 18:44 | Nga

Kryetarët e tri partive të PAN-it, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, dhe ai i AKR-së, Behgjet Pacolli, kanë nënshkruar në shtëpinë e këtij të fundit marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Megjithëse mediet kanë marrë vesh se marrëveshja për koalicionin PANA (sikur po e quajnë disa), do të nënshkruhet në orën 18 në Hajvali, brenda është lejuar vetëm portali i themeluar nga AKR-ja.

Veseli: Formimi i institucioneve tani çështje ditësh

21363331_1614977495181527_449765827_o

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes së kjo marrëveshje është në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Është një marrëveshje për qytetarët e Republikës tonë, për orientimin tonë perëndimor, për Kosovën e zhvilluar ekonomikisht dhe për perspektivën e të rinjve dhe të rejave tona. Orientimi jonë drejt BE-së është i palëkundshëm dhe orientimi për miqësi me SHBA-të do të jetë mision i joni në katër vitet e ardhshme”.

“Kjo është e mirë për të gjithë qytetarët tanë, ky koalicion është në shërbim të çdo qytetari dhe në shërbim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit”, u shpreh Veseli, raporton Arbresh.info.

Ai tha se çështja e formimit të institucioneve tashmë është çështje ditësh.

“Është çështje brenda ditësh, është mandatari i ardhshëm i Qeverisë, Ramush Haradinaj është zotëri Limaj dhe presidenti Behgjet Pacolli, i kemi edhe partnerët me minoritetet dhe partneritetin me kolegët tanë ngas lista Rugova”, ka thënë Veseli.

Pacolli: Shtetndërtimi, interesi i cili bëri që AKR-ja të nënshkruajë sot

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se qytetari, shtetndërtimi i Kosovës ka qenë interesi i cili ka bërë që AKR-ja të nënshkruajë sot me PAN-in marrëveshjen për të qeverisur me vendin, raporton arbresh.info.

“Me këtë koalicion do t’i shtyjmë proceset përpara. Jam i bindur se do të kemi harmoni me kryeministrin Haradinaj,” është shprehur Pacolli pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas tij, ky koalicion dëshmon fuqinë për të sfiduar problemet që ka përpara Kosova.

“Kemi sfida për të tejkalu, ato tejkalohen vetëm me mirëkuptim, energji pozitive dhe punë,” është shprehur Pacolli.

Të ngjashme