PAN: Vendimi i kryesuesit për thirrjen e seancës të enjten është arbitrar

Prishtinë | 07 Gus 2017 | 15:08 | Nga

Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte.

Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi e seancës konstituive është vënë të shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare, thuhet në një komunikatë dërguar medieve nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ky vendim i kryesuesit dëshmon se ai, bashkë me partinë Vetëvendosje, janë të interesuar që ta thellojnë edhe më shumë bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe jo të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me grupet e tjera parlamentare”.

Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00.

“Koalicioni jonë është i bindur se oferta për shmangien e krizës përmes votimit të kryeparlamentarit dhe kryeministrit të ri me marrëveshje politike, do të përkrahet prej shumicës së subjekteve politike parlamentare”.

Prandaj, zgjedhja e të nominuarit tonë për Kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe e të nominuarit për Kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, përkundër përpjekjeve të tashme bllokuese në Kuvendin e Kosovës, janë procese të pandalshme politike, thekson PDK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme