Pantina: Korrupsioni është i pranishëm në të gjitha sferat e jetës sonë

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 18:12 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas përfundimit të debatit lidhur me skandalin e mishit, Kuvendi ka vazhduar me debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, e mbështetur edhe nga 11 deputetë nënshkrues, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave.

Shqipe Pantina, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, tha se është e domosdoshme që institucionet të ndërmarrin veprime për ta plotësuar kushtin e fundit për liberalizimin e vizave, që siç tha ajo, është lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Ajo tha se është përgjegjësi e Kuvendit të hartojë strategji për ta përmbushur këtë kriter.

“Po të ishte korrupsioni kriter moti do të kishim liberalizimin, por kusht është luftimi i korrupsionit. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në BE, për shkak se Kosova ende i nënshtrohet regjimit të vizave. Pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit më 21 mars të këtij viti, pa dashur të thellohemi sa e dëmshme ishte kjo marrëveshje, kushti i vetëm i paplotësuar për liberalizim të vizave mbetet luftimi i krimit dhe korrupsionit”.

“ Është mëse e domosdoshme që Kosova të ndërmarrë pa vonesë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmbushur kushtin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe është përgjegjësi e këtij kuvendi të diskutojë dhe të hartojë strategjitë e duhura dhe të sigurojë përmbushjen e këtij kriteri. Për këtë arsye në emër të grupit të deputetëve të pavarur kërkojmë që kjo çështje të diskutohet në debat parlamentar, ku bashkërisht edhe me grupet e tjera parlamentare të nxjerrim përfundime me detyra konkrete për institucionet e vendit përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit”.

Pantina tutje tha se korrupsioni është i pranishëm në të gjitha sferat e jetës sonë, raporton Ekonomia Online.

“Nuk ka asnjë sferë të jetës tonë shtetërore e institucionale ku nuk hasim në veprime korruptive. Në arsim, shëndetësi, biznes, e mbi të gjitha në institucione shëndetësore. Janë disa aktivitete, procese në institucione që vetëm kur përmenden, të asocojnë me fjalën korrupsion, siç është për shembull fjala prokurim apo tender”.

Armend Zemaj nga LDK tha se kemi mungesë të rezultateve në luftimin e korrupsionit.

Zemaj tha se korrupsioni përkrahet nga njerëz të politikës dhe njerëz që janë në institucione qeverisëse, sic tha, duke marrë parasysh edhe aktakuzat e fundit për afera korruptive, raporton EO.

“Pjesa që ndërlidhet me përmbushjen e detyrave përpos aspektit legjislativ i cili është i kënaqshëm, pjesa tjetër e veprimeve adekuate edhe sot e kësaj dite, edhe nga publikimi i raportit që tash është në duart e institucioneve tona, tregon qartë se ne kemi mungesë të rezultateve konkrete në luftimin e dukurive negative, mbi të gjitha të korrupsionit si gangrenë e cila është bërë përditshmëri dhe e cila përkrahet nga njerëzit e politikës, mbi të gjitha edhe nga ata që janë vetë në institucionet qeverisëse, duke marrë parasysh edhe aktakuzat e fundit të ngritura për afera korruptive.

“Ajo çka është parë dhe dëgjuar kohëve te fundit tregon që këto çështje do të jenë problem në ecjen e Kosovës dhe përmbushjes së kriterit për liberalizim të vizave siç është korrupsioni. Rastet e fundit, tentimi për t’i mbylluar apo qoftë për t’i politizuar ato që quhen afera të mëdha korruptive nga njerëz të politikës të implikuar në krim të organizuar, në shpërlarje parash,  në shitje të pronave kanë lënë shije të keqe dhe do të jenë problematike edhe në imazhin edhe në pasqyrimin dhe ndjekjen e mëtutjeshme të rasteve që unë asnjëherë nuk e përdori por po përdoret si terminologii e peshqve të mëdhenj, pa e dalluar korrupsionin nga baza që quhet e imët”.

Pas kësaj deklarate, kryesuesi i senacës Xhavit Haliti ka kërkuar që deputetet të mos hapin akuza por të përmendin emra.

Pas Halitit replikoi Armend Zemaj i cili ka përmendur rastin “Toka”, në të cilin akuzohet Azem Syla.

“Nëse doni emra për persona të caktuar atëhere unë po e permend vetëm një, që përmendet në të gjitha raportet ndërkombëtare të cilat e shohin si pengesë ecjen e Kosovës në liberalizimin e vizave, është rasti “Toka”, tash nëse doni zbërthejeni vetë kush qëndron prapa tij dhe kush janë të akuzuarit në atë rast”.

Të ngjashme