Pantina për punësimet politike në KEK: Tejet zhgënjyese, LVV erdhi në pushtet duke premtuar të kundërtën

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra persona që u punësuan së fundmi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kanë lidhje familjare me menaxhmentin e kësaj ndërmarrje publike.

Lidhur me këto punësime ka folur edhe ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina.

Pantina ka kritikuar pushtetin aktual, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me kauzën e luftës kundër korrupsionit, nepotizmit dhe keqpërdorimeve.

“VV ka ardhur në pushtet me kauzën e luftës kundër korrupsionit, nepotizmit e keqpërdorimeve dhe është tejet zhgënjyese të shohësh se po e bëjnë të njëjtën gjë, bile edhe më shpejtë e më hapur se të tjerët që ishin në pushtet para tyre”, ka thënë Pantina

Se a janë të ligjshme këto punësime, Pantina ka thënë se duhet parë të gjitha dokumentacionet, jo vetëm të këtyre që janë pranuar, por edhe të atyre që kanë aplikuar e nuk janë pranuar.

“Unë nuk e di a janë të ligjshme se për këtë duhet parë i gjithë dokumentacioni, jo vetëm i këtyre që janë pranuar, por edhe i atyre që kanë aplikuar e nuk janë pranuar. Këtë duhet ta vërtetojnë organet përkatëse, inspektorati i punës apo edhe prokuroria”, ka thënë Pantina për Demokracia.com.

Ndër të tjera, për punësimet në KEK, ajo ka thënë se krejt kjo çfarë ka ndodhur është joparimore dhe jo e drejtë.

Pantina ka shtuar se kjo Qeveri ua ka humbur shpresat të rinjve dhe ata tash po ua mësyjnë ambasadave për të siguruar një vizë.

“Krejt kjo ka humbur shpresën sidomos për të rinjtë që kanë mësyrë ambasadat për të siguruar një vizë që ju mundëson të ikin nga vendi”, ka thënë Pantina.

Të ngjashme