Pantina: Vullneti i qytetarëve është devijuar në Kosovë

Prishtinë | 15 Sht 2017 | 11:57 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shqipe Pantina, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se jo gjithmonë vullneti i shumicës respektohet.

Sipas saj, në Kosovë ky vullnet i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e fundit është devijuar, pasi institucionet nuk janë formuar nga shumica.

Pantina i bëri komentet në forumin me temën “Demokracia dhe parandalimi i konfliktit”, që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

“Duke dashur me kriju një demokraci e kemi lënduar atë”, tha Pantina, e cila më tutje foli për “lojërat me demokracinë” që sipas saj bëhen në Kosovë.

“Jo gjithmonë të gjithë qytetarët mund të marrin pjesë në vendimmarrje e kjo është e përshtatur me të deleguarit e tyre për qeverisje. Në Kosovë, ky vullnet është devijuar”, tha deputetja opozitare.

Sipas saj, në këtë rast qytetari ndihet i tradhtuar nga besimi që është dhënë për përfaqësuesit e tyre.

Pantina iu ka bërë thirrje dhe medieve që të kenë ndikim në aktivizimin e qytetarëve.

Në forum po marrin pjesë dhe përfaqësues të UNDP-së, OSBE-së, të NDI-së etj.

Christopher Tuech, drejtor i Departamentit për Demokraci në OSBE, ka thënë një nga objektivat e demokracisë është paqja dhe parandalimi i dhunës. “Demokracitë e konsoliduara kanë sjellë parandalimet e konflikteve”, tha Tuech, duke e vlerësuar rëndësinë që ka kjo temë.

Ai tha se OSBE-ja është për këtë qëllim në Kosovë, t’i stimulojë përfaqësuesit kosovarë për të punuar për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme. “Por, në fund përgjegjësia është e juaja”, u shpreh Tuech.

Alexander Chavarria, drejtor i Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) në Kosovë pati dy mesazhe për politikanët.

“E para është se njerëzit duhet të jenë në gjendje t’i besojnë Qeverisë së tyre për interesa të përbashkëta. Nëse nuk ka besim nuk mund ketë as transparencë. Dhe e dyta që institucionet duhet t’iu sjellin qytetarëve transparencë, demokraci, mundësi të mira shkollimi dhe shëndetësi më të mirë”.

Kuvendi i Kosovës po shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke i hapur dyert për vizitorë.

Duke filluar në orën 9:30, nxënës, studentë dhe qytetarë të tjerë kanë mundësinë të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe do të njihen me punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.

Për nder të kësaj dite, Kuvendi ka organizuar aktiviteteve të ndryshme që e afirmojnë ndërtimin e demokracisë.

Të ngjashme