Paralajmërohet Lista “Guxo”: S’keni të ardhme nëse ndaheni nga Lëvizja Vetëvendosje

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësja e Listës “Guxo”, Donika Gërvalla, ka deklaruar dje së në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të garojnë së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ky vendim nuk është pritur mirë nga degët e “Listës Guxo” në Gjakovë, Ferizaj dhe Istog, të cilët e kanë kundërshtuar.

Njohësit e çështjeve politike në vend duke komentuar këto zhvillime brenda partisë së Donika Gërvallës dhe ish-partisë së Osmanit, shprehen skeptik rreth të ardhmes së këtij subjekti në skenën politike .

Analisti, Shkodran Ramadani, tha për “Gazeta Blic” se  zgjedhjet lokale të 17 tetorit  do të përcaktojnë fatin e “Listës Guxo”.

Ramadani thotë se kjo Iniciativë nuk ka të ardhme e ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo dmth që kjo “Listë” ende nuk është një formacion stabil edhe solid që ka kohezion edhe pajtim për tema të caktuara për shkak që një pjesë e “Listës Guxo” e sheh veten si një entitet autonom dhe të pavarur ndëkohë një tjetër e sheh zgjatim të Lëvizjes Vetëvendosje edhe i cili e promovon shkrirjen brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj në këto zgjedhje lokale do të përcaktojnë se cili do të jetë fati i Listës Guxo”

“Unë besoj se “Lista Guxo” nuk ka të ardhme ndarasi nga LVV-ja. Besoj se në këto zgjedhje do të futen kryesisht një pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm në të ardhmen mund të kemi ndonjë ndryshim. Edhe nëse dikush është i pakënaur me vendimin e Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës ata mund të kthehen në LDK . Edhe ashtu ata janë “Listë” shumë e vogël nuk besoj se do të luajnë ndonjë rol të madh. Por besoj që votuesit e Vjosa Osmanit do të mbeten me të edhe nëse një pjesë e Listës Guxo vendos të ndahet nga Vjosa Osmani” tha Ramadani.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, thotë se nuk është i befasuar nga ‘përqarjet’ që kanë ndodhur brenda kësaj Iniciative.

Salihu thotë se liderja e kësaj Liste dhe vetë Lista janë një nëndegë e VV-së.

“Nuk befasohem sepse Lista Guxo është vërtetim i teorisë së kompensimit, emri si shënjim pikërisht i asaj që mungon më së shumti. E, Lista Guxo dhe Vjosa Osmani veç guxim nuk kane. Prandaj, nuk jam befasuar sepse kjo Liste dhe liderja e saj jane thjesht marioneta të Albin Kurtit dhe një nëndegë e Vetëvendosjes” deklaron ai për “Gazeta Blic”.

Pak minuta më parë edhe krahu i djathtë i Vjosa Osmani, njëherësh Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka dalë kundër iniciativave të degëve të Listës GUXO në Gjakovë, Ferizaj e Istog.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Peci ka thënë vullneti i bashkëudhëtarëve të Listës Guxo nuk mund të tjetërsohet nga askush.

“Lista Guxo” garoi në zgjedhjet e 14 shkurtit së bashku me Lëvizjes Vetëvendosje dhe duket se edhe në zgjedhjet lokale na pret një formacion i tillë.

Të ngjashme