Paralajmëron ish-eksperti i OBSH’së: Nëse dalim në protesta do të kemi mijëra raste me COVID-19

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Të mërkurën janë bërë dy muaj prej kur në Kosovë janë lajmëruar rastet e para me virusin COVID-19. Për dy muaj me këtë virus u infektuan 927 kosovarë, nga të cilët vdiqën 29 dhe u shëruan 671 prej tyre. Pikërisht rritja e numrit të personave të shëruar duket se shkaktoi relaksim tek qytetarët, një pjesë e të cilëve nuk po i përfillin as masat e vëna nga Ministria e Shëndetësisë. Të martën në Prishtinë u protestua. Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin dalë në sheshin “Skënderbeu” për të bërë prova për protesta. E këtë veprim të tyre po e sheh si të rrezikshëm ish-eksperti i OBSH’së, Merkur Beqiri

“Rrri n’shpi” është fraza që e kemi dëgjuar tash e dy muaj prej kur në Kosovë filluan të shfaqeshin rastet e para me virusin COVID-19.

Ekspertët shëndetësorë e kishin parë qëndrimin në shtëpi si masën më preventive ndaj përhapjes së koronavirusit.

Institucionet morrën vendim që fillimisht dalja e qytetarëve të kufizohet me vetëm 90 minuta gjatë ditës, e më pas u shtuan edhe 90 të tjerë, me lehtësimin e masave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Dalja u rregullua me anë të numrit të parafundit të dokumenteve të identifikimit, me orar të caktuar, dy herë brenda ditës.

Por edhe me lejimin e lëvizjes, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë apeluan që qytetarët të mos dalin pa nevojë, vetëm në rast të furnizimit me ushqim, ilaçe apo gjëra tjera të nevojshme.

Të martën, rreth 400 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e shfrytëzuan kohën e tyre të daljes për një gjë krejt tjetër.

Ata dolën  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të bërë siç e quajtën ata një provë për protestë.

Ky veprim i tyre ngjalli reagime të shumta, pasi Kosova, si edhe vendet tjera, po përballet me pandeminë COVID-19.

Dalja masive e qytetarëve, edhe pse po ruanin distancën dhe kishin vendosur mjetet mbrojtëse, u kritikua nga partitë politike në vend, por edhe nga ekspertë të shëndetësisë.

Ish-eksperti i OBSH-së në Kosovë, Merkur Beqiri, tha për Gazetën Express se grumbullime të tilla të qytetarëve, mund të jenë të rrezikshme dhe kështu mund të kemi numër shumë të madh të të infektuarve me koronavirus.

“Mesazhi im është se nëse sjellja e popullatës prej masave ekzistuese kalon në regjimin e protestave nëpër rrugë, atëherë brenda javëve nuk do t’i matim më rastet me qindra, por me mijëra dhe dhjetëra mijëra”, ka deklaruar Beqiri për Express. 

Ai tha se çdo përçarje e shoqërisë, si politike ashtu edhe shoqërore, shfrytëzohet nga virusi për të hyrë në mesin tonë.

“Mjafton një person ta nis një pandemi, pastaj nevojiten të gjithë të tjerët për ta ndalë atë. Sa i përket natyrës së virusit, një person infekton 3 deri në 13 persona, nëse ia hapim rrugën pastaj infektimi vazhdon tutje tek të tjerët”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, të mërkurën është bërë kërkesë që Prokuroria e Shtetit t’i hetojë nismat për protesta që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve në kohën e pandemisë.

E protestën e aktivistëve e komentoi edhe kreu i VV’së e kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se janë qeveri në detyrë janë duke pritur vendimin e Kushtetueses dhe nuk inkurajojnë njerëzit që të grumbullohen e tubohen pavarësisht se subjekti që e drejton ai po e bën këtë.

 “ Ë shtë mirë që sekretarja e VV’së të përgjigjet për çështjet organizative. Ne si qeveri jemi në detyrë në punët të përditshme. Ne po e presim aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne nuk inkurajojmë tubimet e grumbullimet. Në kërkojmë që të respektohen të gjitha masat. E kuptojmë nevojën për të protestuar, e pranojmë si të drejtë esenciale për të protestuar dhe në këtë aspekt është e jona që vazhdimisht të bëjmë thirrje që të qytetarët të jenë aktiv por duke i respektuar patjetër masat e distancës fizike, higjienës dhe orarit prej 180 minuta në ditë”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes se Qeverisë në të cilën ministrat kanë raportuar për 100 ditëshin në udhëheqje.

Të ngjashme