Paralizimi i KQZ-së vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimmarrjes nëpër komuna

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Në pikëpyetje është vënë ligjshmëria e vendimmarrjes në kuvendet e shumë komunave, të cilat prej muajsh funksionojnë në përbërje jo të plotë shkaku i përcaktimit të presidentit Hashim Thaçi për ta mbajtur të paralizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Duke mos qenë KQZ-ja funksionale, është pamundësuar zëvendësimi i një deputeti të dorëhequr, si dhe i shumë anëtarëve të kuvendeve komunale, shkruan sot Koha Ditore.

Gentrit Gërguri është njëri nga ata që është duke i ndierë pasojat nga mospërmbushja e detyrimeve kushtetuese të presidentit që ndërlidhen me funksionalizimin e KQZ-së.

Më 29 mars të këtij viti, Xhavit Drenori ka dhënë dorëheqje nga mandati i anëtarit të Kuvendit të Komunës të Drenasit dhe për këtë e ka njoftuar KQZ-në. Mbështetur në nenin 10 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, KQZ-ja ka qenë e obliguar ta zëvendësojë me Gërgurin, i cili është kandidat i radhës që gjendet në listën e rirenditur të kandidatëve të subjektit politik të tyre.

KQZ-ja nuk e ka bërë ndryshimin akoma, meqë nuk është funksionale për shkak të mosemërimit të anëtarëve të këtij institucioni nga ana e shefit të shtetit. Për pasojë, që nga 29 marsi, Vizioni për Drenasin, subjekt të cilit i takojnë Drenori e Gërguri, ka mbetur pa një mandat përfaqësues në Kuvendin e Komunal.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme