Partitë e mëdha pajtohen për ndryshimet e Ligjit për Financim, të voglat kërkojnë uljen e pragut zgjedhor

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 15:26 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë politike në vend kanë mbajtur diskutim rreth ndryshim-plotësimit të Ligjit për financimin e subjekteve politike në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, raporton Ekonomia Online.

Në këtë takim, përfaqësuesit e partive të vogla në vend kërkuan uljen e pragut zgjedhor për zgjedhjet parlamentare dhe financimin e subjekteve politike që nuk bëhen pjesë e Kuvendit.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka thënë se nuk ishte dashur të ishte pjesë e ndryshimit Ligji për zgjedhjet, ndonëse ligji për financimin e partive është i nevojshëm për reformë.

Ai e kritikoi Ligjin për Financimin e partive politike, për të cilin tha se e cenon rëndë autonominë e KQZ-së.

“Është fat i keq që Kosova ende nuk ka ligj për partitë politike. Mendoj që ligjet për parti politike nuk po trajtohen njëjtë me ligjet e tjera. Ne kemi një draft me ligje të veçanta. Ligji për financa dhe për zgjedhje të përgjithshme. Ligji për financa ka tendencë imponuese më shumë. Është si ligj i pamundur. Kushton kostoja e implementimit për një subjekt politik. Mendojë se si i tillë ligji është antikushtetues. Ky ligj nëse miratohet në kuvend do ta cenoj rëndë autonominë e KQZ-së”, tha Gjoshi.

Bekim Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje, theksoi se kjo parti e përkrah projektligjin e sjellë nga qeveria, pasi që sipas tij rrit transparencën dhe llogaridhënien e partive politike. Megjithatë, për shpenzimet për secilin e aktivitet që duhet të raportohen në fund të muajt, Gashi tha se kjo është më shumë një iniciativë burokratike.

“Ne si Vetëvendosje e përkrahim këtë projektligj. Janë çështje që kanë të bëjnë me një llogari të vetme bankare. Shpenzimet për secilin aktivitet që duhet të raportohen ne fund të muajit. Kjo më shumë është një iniciativë burokratike. Ndryshimi i këtyre ligjeve e avancon substancën e këtij projektligji”, tha Gashi.

Çerkin Dugolli nga Nisma Socialdemokrate ka kërkuar që të rregullohet financimi i partive politike nga shteti edhe për partitë që nuk e kalojnë pragun 5 për qind.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të ketë prag 5 për qind për përfshirjen e partive në parlament.

“Deri më sot nuk kemi pa që një parti politike është kompensuar. Ligji për parti politike gjithsesi prek edhe ligjin zgjedhor. Ne e kemi pa që edhe ligji aktual bazik i financave ende ka mbet i paimplementuar. Praktikat e financimeve të shtetit të partive politike i kemi në të gjitha vendet e rajonit. Dhe ju kish bërë mirë edhe juve edhe neve që të trajtohet siç duhet. Ne gjithsesi do futemi në reformën zgjedhore. E kemi një prag zgjedhor diskriminues që në emër të një ligji nuk ka përfaqësim të qytetarëve. Sot nuk ka më kuptim pragu nga 5 për qind. Sot kemi një shoqëri të avancuar dhe media të pavarura”, tha Dukolli.

E Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate (PSD), tha se projektligji në fjalë nuk është në frymën e demokracisë. Ai kërkoi të ndryshohet forma e financimit të partive.

Sipas tij, sot partia më e madhe në vend merr 2 milionë euro në vit.

“Ne po flasim për një fond publik i cili është afër 5 milionë euro. Sot subjekti më i madh publik i ka 2 milionë euro. Ky subjekt mund të ushtroj ndikim në punësimin e militantëve. Kjo shkon një vorbull ku pamundësohet financimi i subjekteve të vogla. Mendoj që duhet të tentojmë ta ndryshojmë këtë formë financimi. Kemi pa këto parti e problematizojnë qeverisjen. Edhe aty e sheh qe ka deputet që nuk është dashtë me pa deputet brenda asaj partie”, tha ai

Heqjen e pragut 5 për qind e ka kërkuar edhe Zef Morina nga Partia Shqiptare Demokristiane. Ai ka thënë se në disa zgjedhje është nuk janë paguar.

“Ligji aktual parasheh dy rënie të financimit. Prej vitit 2010 kanë kaluar 8 parë zgjedhje që nuk janë paguar. Ne jemi dëmtuar jashtëzakonisht dhe duhet të ndryshojë sa më parë dhe kërkesa jonë është që ky projektligj të mbetet me 2 për qind”, tha ai.

Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim tha se partitë e vogla janë të diskriminuara, dhe se kjo sipas tij ndikon që në të ardhmen të “mbytet” ideja e krijimi të partive të reja

“Partitë e vogla janë diskriminuese, kjo ndikon që në të ardhmen të “mbytet” ideja për krijimin e partive të reja. Qëllimi i ligjit është të financojë partitë e regjistruara. KQZ ka shkuar me shkelje sepse nismat i ka futur në listë si parti të regjistruara. Duhet secilës parti politike t’i shkojë fondi dhe jo koalicionit. Në rast të koalicionit mjetet e fondit ndahen në subjektet e regjistruara dhe të certifikuara”, tha ai.

Edhe Avni Çakmaku nga partia Fjala ka thënë se ulja e pragut është e domosdoshme.

Të ngjashme