Partitë me premtime të parealizueshme para zgjedhjeve

Prishtinë | 03 Sht 2019 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Fushata para zgjedhjeve të parakohshme nacionale pritet të fillojë pas tri javësh, por kjo nuk ka penguar përfaqësuesit e subjekteve politike të shpërfaqin premtime të shumta para qytetarëve. Shumë prej këtyre zotimeve, të cilat po përsëriten para çdo palë zgjedhjesh, vlerësohen se janë të parealizueshme, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet nacionale, përfaqësuesit e subjekteve politike në Kosovë kanë filluar të japin premtime të njëpasnjëshme, të ngjashme me ato para zgjedhjeve të kaluara.

Liberalizimi, lufta ndaj korrupsionit, rritja e pagave janë vetëm disa prej premtimeve të shpërfaqura nga kandidatët për kryeministër të subjekteve politike, të cilët akoma pa publikuar programet po zotohen në forma të tilla para qytetarëve. Përfaqësuesit e shoqërisë civile konsiderojnë se shumica e premtimeve të dhëna nga zyrtarët politikë para zgjedhjeve janë të parealizueshme.

Nëse partitë dëshirojnë ta luftojnë korrupsionin, atëherë nevojitet vullneti politik derisa për uljen e papunësisë, zhvillimin ekonomik nevojitet një program për të cilin, siç shprehen ata, deri më tani asnjë parti në qeveri nuk ka arritur ta realizojë.

Fushata zgjedhore pritet të nisë më 25 shtator të këtij viti dhe do të zgjasë dhjetë ditë gjithsej, kurse zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor 2019.

Të ngjashme