Partitë politike mbështesin rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

Prishtinë | 16 Maj 2019 | 15:22 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të gjitha subjektet politike të pranishme në Kuvend kanë përkrahur rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish regjimit shtetëror serb në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Armend Zemaj në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së tha se tashmë duhet më shumë punë në këtë drejtim.

“Në emër të LDK-së i japim përkrahje kësaj projekt rezolute për gjenocidin serb të kryer në Kosovë. Duhet sa në pak fjalë e më shumë punë për të kthyer në vepra dënimin e gjykimin e atyre që kanë kryer krime gjatë asaj periudhe”, tha Zemaj.

Mërgim Lushtaku në emër të grupit parlamentar të PDK, tha se kjo rezolutë është sa shpagim edhe mirënjohje për ata që sakrifikuan për Kosovën.

“Konsideroj se është shpagim dhe mirënjohje për të gjitha ata që kanë sakrifikuar në Kosovë. Kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet e gjenocidit në Kosovë duke dëshmuar se ajo pranon këtë. Serbia edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës vazhdon të fshehë çështjen e të pagjeturve. Duke tentuar që Kosova të shndërrohet në tokë të djegur ka tentuar të zhdukë kujtesën shqiptare në Kosovë”, tha ai.

Sami Kurteshi në emër të grupit parlamentar të VV-së, tha se janë munduar që tekstin e rezolutës ta përmbledhin sa më mirë.

“Në tekstin e rezolutës janë marrë parasysh të gjitha dokumentet kryesore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtën e njeriut dhe të drejtën humanitare.  Teksti i rezolutës i referohet të gjitha raporteve ekzistuese që kanë të bëjnë me çështjen e krimeve të luftës”, tha ai.

Blerim Kuçi në emër të grupit parlamentar të AAK-së, tha se sot nuk duhet të votohen rezoluta tjera të propozuara, përfshirë atë të deputetes Donika Kadaj-Bujupi për viktimat e përdhunuara.

“Nëse sot votojmë rezoluta tjera atëherë kjo rezolutë e humbë peshën e vet. Sot mos me votu asnjë rezolutë tjetër sepse tema bosht është pika e 3 e rendit të ditës. Nëse votojmë të tjera humb kuptimi”, tha ai, raporton EO.

Shqipe Pantina nga PSD-ja tha se edhe partia e tyre e mbështet rezolutën.

“Ne i japim mbështetje tekstit të rezolutës dhe do ta votojmë atë”, tha Pantina.

Zarit Berisha nga Nisma tha se kjo rezolutë është një hap i vogël në drejtim të shërimit të një plage të madhe që quhet gjenocid serb në Kosovë.

“Sigurisht me një rezolutë është e vështirë të përmblidhet gjithë ajo çka ka ndodhë por do ta ketë efektin pozitiv në kthjellen e njerëzve që janë mbuluar nga pluhuri i harresës për atë që ka ndodhë në Kosovë”, tha Berisha.

Albert Kinolli nga 6+, tha se e mirëpresim këtë rezolutë që edhe pse e vonuar do ta ketë drejtësinë e vonuar dhe vuajtjet e familjarëve do t’i zbusë.

Të ngjashme