Partitë politike ndryshuan pak ndër vite – koordinimi me ndërkombëtarët në rritje

Prishtinë | 19 Qer 2022 | 08:50 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë politike në vend kanë proklamuar ndryshime të mëdha sa i përket prurjeve të reja, por që në aspektin ideologjik dallimet ndër vite janë të pakta.

Njohësit e rrethanave politike thonë se në shumë raste partitë kanë punuar më shumë për interesat e tyre, por që më vonë është vërejtur një përkushtim në interes të qytetarëve, krejt kjo për të siguruar vota.

Bashkëpunimi me ndërkombëtarët sipas tyre është e përbashkëta e partive politike në vend.

Analisti politik, Visar Xani në një intervistë për Ekonomia Online tha se partitë politike kanë ndryshuar vetëm në aspekt të koalicioneve e interesit të tyre, ndërsa në aspektin e ideologjive nuk kanë ndryshuar aspak.

Xani thotë se koalicionet e partive politike shpesh janë të panatyrshme, me inate apo me marrëveshjet që kanë pasur më herët.

“Partitë politike në aspekt të koalicioneve, të interesit të partive politike kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Në aspekt të përgjithshëm, ideologjive dhe në aspekt të përgjithshëm të profilizimit të tyre nuk kemi ndryshim pothuajse aspak, për shkak që ne si parti politike në Kosovë nuk shohim shumë parti të profilizuara. Kemi parti gjithëpërfshirëse, që nënkupton parti gjithëpërfshirëse në rast të koalicioneve. Nuk bëjnë vetëm partitë të profilit të tyre, por bëjnë koalicion e me të gjitha llojet e partive. Përfshijnë të gjitha llojet e interesit dhe nuk kemi profilizime. Nëse i shohim në atë standard, pra ka pak ndryshim apo pothuajse aspak. Ne e shohim shumë shpesh që koalicionet janë të panatyrshme, koalicionet ose qëndrimet janë me inate ose varet me kthim të borxhit në aspekt të parazgjedhjeve dhe marrëveshjeve që kanë pasur të mëhershme”.

“Shohim figura të reja, po kanë qëndrime politike dhe mentalitet politik të njëjtë. Mentaliteti është i rëndësishëm shumë se si krijohet një parti politike, ndryshim në mentalitet në Kosovë nuk ka”.

Tutje, ai tha se vetëm krerët e partive kanë ndryshuar, por figurat e politikat janë vazhdimësi e atyre që i kanë pasur më herët.

“Tani më kemi pa që sa i përket krerëve në disa parti politike veç kanë ndryshuar. E shohim për shembull, Memli Krasniqi ose Lumir Abdixhiku të cilët kanë ardhur nga një frymë e re. Por, personat për rreth ende nuk kemi parë figura shumë ndryshe ose e kemi pa një vazhdimësi të politikave që kanë pasur më herët. Ende sikur ata janë në studim të partisë të cilës e kanë marrë në kryesim  dhe nuk ka ndonjë ndryshim ose reflektim i madh. Konsideroj, sikur do të kishte reflektim të madh do të mund ta ndienim edhe ne si qytetar edhe në qëndrime edhe në veprime”.

Xani thotë se partitë politike në vend janë në konsultime me ShBA, e vendet anëtare të QUINT-it e që sipas tij, kjo është e dobishme.

“Politikat, kur i dëgjojmë aleatët janë të mira. Por, nëse dëgjojmë ndonjë politikë i cili nuk i konvenon shtetit të Kosovës ose skenës politike në kuptim të interesit të përgjithshëm qoftë qytetar apo politik, atëherë është gabim. Ne shohim vazhdimisht që partitë politike në Kosovë kanë konsultime të rregullta si me ShBA, si me vendet anëtare të QUINT-it, kjo është një dobi e mirë për shkak që agjenda politike e Kosovës dhe veprimet e saj janë çdo herë në koordinim me politikën perëndimore”.

Analisti politik, Gazmir Raci për Ekonomia Online tha se partitë politike në vend ndër vite kanë ndryshuar shumë, ngase sipas tij, partitë e kanë kuptuar që duhet të jenë më afër qytetarëve në mënyrë që t’i bindin për të marrë vota.

“Ka ndryshime të mëdha. Për shembull nëse i analizojmë partitë që kanë dalë nga lufta, në fillimet e tyre të para kanë qenë shumë nacionaliste për nga ambiciet politike, angazhimet që i kanë pasur politike. Por, ndërkohë, ndër vite e kanë kuptuar që një parti politike duhet me qenë shumë më afër qytetarit mënyrë që ta bind atë e pastaj qytetari t’ia jap votën ose besimin ose kundër që ata një ditë të vijnë në pushtet”.

Ai thotë se partitë kanë ndryshuar sa i përket organizimit dhe strukturës. Raci tha se PDK e LDK në fillimet e tyre kanë pasur angazhim me diasporën, por që më pas e harruan.

Sipas tij, kur diaspora i dha përkrahje LVV-së në zgjedhjet e fundit, partitë tradicionale kanë kthyer vëmendjen përsëri nga diaspora.

“Partitë politike për nga struktura dhe organizimi kanë pësuar ndryshime radikale. Në qoftë se analizojmë partitë tradicionale siç është Lidhja Demokratike e Kosovës ose edhe Partia Demokratike e Kosovës, ata në fillimet e tyre të para kanë pasur një angazhim edhe me diasporën edhe më pastaj e harruan diasporën komplet dhe u koncentruan tek qytetarët e Kosovës tek votuesit rezident. Ndërkohë, për shkak se diaspora dha përkrahje të madhe  ndaj Lëvizjes Vetëvendosje tash kemi një rikthim të partive tradicionale te diaspora. Duket se  e kanë kuptuar se ndoshta edhe vota më e madhe mund të vijë andej. Por, gjithmonë këto parti politike duhet me pas parasysh votuesit e tyre tradicional që ata i kanë”.

Tutje ai thotë se lidershipi kosovar vazhdimisht ka një koordinim të mirë me ndërkombëtarët.

Por, ai thotë se edhe ata që kanë qenë skeptik sa i përket bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, me luftën në Ukrainë e kanë kuptuar se pa aleat strategjik nuk mund të funksionojë shteti.

“Shteti i Kosovës është shtet i cili është ndërtuar së bashku me komunitetin ndërkombëtar. Unë nuk jam i mendimit që partitë ose lidershipi ynë i dëgjon, po ka një koordinim historikisht ne kemi pasur një koordinim të mirë me bashkësinë ndërkombëtare dhe falë atij koordinimi ne e kemi edhe çlirimin, lirinë, pavarësinë edhe shtetin që po ende po e ndërtojmë. Ka një koordinim me faktorët ndërkombëtar”.

“Në fund të fundit ju po e shihni se çka po ndodh në Ukrainë dhe ata skeptikët që kanë qenë kundër bashkëpunimit ndërkombëtar besoj se tash kanë filluar të ndryshojnë qasje ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe me pa që pa një bashkëpunim ndërkombëtar, pa aleat strategjik, pa mbështetës kryesor siç është ShBA, Gjermania, Franca etj, nuk mundesh me funksioni si shteti vogël edhe duke i pasur parasysh edhe kapacitetet tuaja që i ke në sektorin e sigurisë”.

Të ngjashme