Partitë s’i marrin seriozisht zgjedhjet në Podujevë, ende nuk kanë kandidat për Kryetar

Prishtinë | 09 Shk 2020 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e buxhetit për këto zgjedhje. Partive politike iu kanë mbetur edhe 11 ditë për të dërguar në KQZ emrin e kandidatit të tyre. Megjithatë, duket se atyre nuk po iu ngutet të vendosin se kë do ta zgjedhin për të ia vazhduar mandatin Agim Veliut, i cili dha dorëheqje nga Podujeva pas emërimit si ministër në Qeverinë Kurti

Edhe 21 ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

Në qytetin ku deri më tani kryetar ishte Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo pasi kryetari Veliu ka dhënë dorëheqje nga ky post, pas emërimit të tij Ministër i Brendshëm i Kosovës në Qeverinë Kurti.

Veliu u zgjodh kryetar i Komunës së Podujevës në vitin 2017, ndërkaq mandati i tij përfundon në fund të vitit 2021.

Kandidati i cili do t’i fitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë do ta vazhdojë mandatin e Veliut.

Por, deri më tani, partitë nuk e kanë caktuar kandidatin i cili do t;i përfaqësojë në këto zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ende nuk kanë vendosur kë do da kandidojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.

Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka, ka thënë se ende nuk është caktuar kush do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të Podujevës.

“Jo ende”, ka thënë Manxhuka.

As AAK’ja nuk e ka vendosur ende me kë do të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, ka thënë edhe zëdhënësi i AAK’së, Kushtrim Xhemaili.

“Jo ende”, tha Xhemaili, ndërkaq se kur pritet të vendoset kush do të jetë kandidati, Xhemaili tha se nuk ka informacion.

E Partia Socialdemokrate e cila në zgjedhjet e 6 tetorit nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, ende nuk ka vendosur a do të jetë pjesë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë.

Zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuçi, ka thënë se në mbledhjen e kryesisë së PSD’së e cila do të mbahet këtë të hënë, do të vendoset nëse kjo parti do të ketë një kandidat për kryetar të Podujevës.

Express ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga LDK dhe PDK, për të ditur nëse e kanë vendosur emrin e kandidatit me të cilin synojnë ta marrin pushtetin në Podujevë, mirëpo zyrtarë të këtyre partive nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka filluar procedurat e nevojshme për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se është miratuar plani i buxhetit  për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen më 15 mars 2020.

“Buxheti i planifikuar për këto zgjedhje është 491 mijë e 517 euro. Ky është vetëm planifikim, por se sa do të jetë kostoja e saktë e këtyre zgjedhjeve ne do të mund ta dimë vetëm pas përmbylljes së të gjithë procesit.  Konform detyrimeve ligjore, buxheti i aprovuar është planifikuar për të dyja raundet”, ka thënë Elezi.

Elezi ka treguar se kërkesa buxhetore dërgohet në Qeverinë e Kosovës, pasi viti 2020 nuk është vit zgjedhor dhe KQZ-ja nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje.

 “Pjesa më e madhe e këtij buxheti, pra 80% e tij, është planifikuar për prodhimin e materialit zgjedhor (fletëvotimeve, listës komunale të votuesve, formave zgjedhore); furnizimin me material zgjedhor; pagesat për Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, anëtarët e këshillave të vendvotimit, stafit tjetër ndihmës, trajnerëve, stafit të angazhuar në QNR; dhe aktivitetet tjera të parapara me planin operacional.”, ka thënë Elezi.

Elezi ka treguar se aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve ka nisur nga data 8 shkurt dhe do të jetë i hapur deri më 17 shkurt.

“Aplikimi i  subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe më 17 shkurt 2020.  Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 2 mars 2020. Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues jashtë Kosovës fillon më 16 shkurt dhe përfundon më 23 shkurt 2020. Periudha e votimit përmes postës fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020. Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues me nevoja të veçanta fillon më 26 shkurt dhe përfundon më 1 mars 2020”, ka treguar Elezi.

Ndërkaq ai ka treguar edhe procesin e fushatës zgjedhore e cila do të fillojë më 3 mars.

Po ashtu, Elezi ka folur edhe për afatin për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politke dhe OJQ’ve në KQZ.

“Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020. Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 10 mars 2020. Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 12 mars 2020. Periudha për formimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 14 shkurt 2020. Periudha për formimin e Këshillave të Vendvotimit fillon më 25 shkurt dhe përfundon më 6 mars 2020”, ka theksuar Elezi.

Ndërkohë, sistemi zgjedhor parasheh që kuvendi komunal nuk na nevojë të shkojë në zgjedhje, por në zgjedhje shkon vetëm posti i kryetarit të komunës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme