Pas daljes së Listës Serbe, koalicion i gjerë me LDK-në në Qeveri

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 16:48 | Nga

Dalja e Listës Serbe nga qeveria dhe hapja e fazës së re të dialogut me Serbinë, duket se do ta ndryshojë përbërjen e koalicionit qeveritar.

Pas arrestimit të Marko Gjuriq dje në Mitrovicë, Lista Serbe sot nga Beogradi njoftoi se më nuk është pjesë e qeverisë Haradinaj. Kjo ka bërë që koalicioni qeverisës, të mbetet vetëm me 51 vota.

Gazeta Metro nga burime brenda LDK-së dhe AAK’së, mëson se menjëherë kanë filluar përpjekjet për një koalicion të gjerë, që eviton zgjedhjet e parakohshme, dhe krijon një klimë politike më të përshtatshme për fazën e re të dialogut.
Këto burime kanë thënë në LDK në parim kanë shprehur gatishmëri për të diskutuar për këtë çështje, duke e lënë të hapur mundësinë e një koalicioni të gjerë. Megjithatë, kushti që ka paraqitur LDK për këtë mundësi, është që të ndryshojë formati aktual i drejtimit të qeverisë.

LDK sipas këtij burimi ka thënë se kjo mund të bëhet e mundshme, vetëm nëse LDK e merr postin e kryeministrit.

Gjithashtu Gazeta Metro ka mësuar se sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, po qëndrojnë anëtarë të Kryesisë së LDK’së, duke përfshirë edhe nënkryetarin e kësaj partie, Agim Veliu.

Në anën tjetër, një gjë që e bën edhe më bindëse mundësinë e një koalicioni të gjerë, është edhe deklarata e Presidentit Thaçi, dje pas takimit me kryeministrin Haradinaj dhe kryeparlamentarin Veseli, ku u diskutua për Asocicionin e Komunave me shumicë serbe. Në atë deklaratë ndër të tjera, u kërkua që në fazën e re të dialogut të ketë një përfshirje të gjerë të spektrit politik, që pala shqiptare të jetë sa më unike.

Faza e re e dialogut me Serbinë, pritet më e rënda, pasi pretendohet të përmbyllet mosmarrëveshja me Serbinë, e cila nënkupton edhe gjetjen e një forme të njohjes së Kosovës.

LDK në njëfarë forme edhe e ka konfirmuar këtë përmes një reagimi duke thënë se, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës, dhe ditët në vazhdim do të ndërmarr hapa që do të jenë në dobi të vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme