Pas Delawies, LDK nesër takon edhe Apostolovan

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 14:15 | Nga

Sot në mëngjes kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ai i PDK-së, Kadri Veseli dhe ambasadori amerikan, Greig Delawie kanë zhvilluar një takim të mbyllur ku është diskutuar për ngjarjet e fundit në vend.

Pas këtij takimi, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë ftuar të gjithë nesër në një takim tjetër me të parin e partisë dhe ambasadorin, ku do të njoftohen për ata se çka u fol sot, shkruan Indeksonline.

Lidhur me këtë, shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë në një prononcim për Indeksonline se në asnjë mënyrë Delawie nuk do të vije në takim për të bindur deputetët të votojnë pro ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, siç u raportua në media.

“Takimi i nesërm i grupit është për t’u informuar për zhvillimet aktuale, para mocionit që do të vije të mërkurën në Kuvend, po ashtu sot është mbajt një takim mes ambasadorit Delawie, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli e për këtë dëshirojmë të informohemi nga dora e parë edhe për takimin edhe për zhvillimet aktuale pra kjo është esenca e takimit të nesërm”, ka theksuar Beqiri.

Madje ai ka bërë të ditur se pos Delawie, kërkesë për t’u takuar me deputetët e LDK-së ka shprehur edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova.

“Nesër edhe mund të kemi një takim me Apostalovan, për zhvillimet aktuale, kështu që këto janë takime normale dhe mediat do të informoheshin për këto takime edhe publikisht sepse nuk janë sekrete, janë takime të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe nuk duhet të mbahen larg opinionit. Ne e kemi dërgu mesazhin ku i kemi ftuar deputetët, këto takime janë publike, informuese, nuk janë të fshehta vetëm duam t’i njoftojmë deputetët për zhvillimet aktuale”, ka thënë tutje Beqiri.

Ai përsëriti se nuk është çështje që ambasadori Delawie nesër do të jetë në takim për të bindur deputetët të votojnë pro demarkacionit sepse siç ka thënë ai, nuk qëndrojnë as zërat se në LDK ka numër të madh të deputetëve që nuk e përkrahin atë, këto janë spekulime.

“I keni parë, nuk e gjeni një apo dy deputetë që kanë dal dhe e kanë thënë se do ta kundërshtojnë demarkacionin. Grupi ynë do të dal unik dhe do të jetë në mbështetje të vendimeve të rëndësishme që janë në interes të vendit dhe të ardhmen e të qytetarëve tanë. Ne nuk duam të bindim askënd për asgjë. Ne nuk e lidhim demarkacionin me mocionin e opozitës, prandaj demarkacioni është më vonë, e fillimisht është mocioni. Për ne është shumë normale të konsultohemi me partnerët tanë strategjikë, siç janë SHBA dhe BE, kjo ne na nderon dhe ne e konsiderojmë që është një respekt edhe ndaj grupit tonë që të informohen për zhvillimet”, ka shtuar Beqiri.

Duke folur për mocionin e opozitës që të mërkurën do të jetë në seancën e Kuvendit të Kosovës, Beqiri tha se për LDK-në është e qartë se nuk e përkrahin një mocion të tillë.

“Ne e kemi një marrëveshje koalicioni me partnerin tonë, dhe besojmë që edhe partneri i koalicionit nuk do të përkrah një mocion të tillë të opozitës, kundër vetvetes në një mënyrë. Sepse nëse e përkrahnin mocionin ata po e rrëzojnë një qeveri, pjesë e së cilës janë edhe vet, dhe sikur po pajtohen me ato që po thuhen në mocion e që për ne si LDK janë të paqëndrueshme në raport me qeverinë Mustafa”, ka thënë Beqiri.

Ai ka shprehur bindjen se edhe PDK do të respektoj marrëveshjen në fjalë, sidomos pikën e veçantë ku thuhet qartë se partnerët nuk do t’i përkrahin mocionet e partive, në këtë rast opozitës.(IndeksOnline)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme