Pas intervistimit katërditor në Hagë, presidenti Thaçi kthehet sonte në Kosovë

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi mbrëmë e ka përfunduar intervistimin nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë pas katër ditësh.

Thaçi është intervistuar katër ditë nga gjashtë orë, derisa dje ky proces ka zgjatur më shumë se shtatë orë.

Hashim Thaçi do të kthehet sonte në Kosovë, por nuk dihet nëse do të ketë ndonjë prononcim për medie, raporton klankosova.

Ndërkaq, Thaçi ka folur mbrëmë pas intervistimit ku ka thënë se nësë prokurori dhe gjykatës vlerësojnë paanshmërisht do të dalin në përfundim se nuk e ka kryer asnjë krim.

“Jam munduar që sqaroj informacione për rolin tim gjatë luftës, gjatë periudhës që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Kam qenë i shoqëruar nga Ambasadori Prosper në cilësinë e avokatit. Dëshmia ime ka zgjatur shumë por konsideroj se kemi pasur seanca produktive”.

“I mbetet prokurorit dhe gjykatësit që ta vlerësojnë me paanshmëri. Nëse vlerësojnë në mënyrë të ndershme lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduar”.

Në dy ditët paraprake ai nuk u deklarua për media as para dhe as pas intervistimit, derisa një gjë të tillë e ka bërë vetëm në ditën e parë të tij në Hagë.

Pas intervistimit të parë gjashtëorësh, ai ka thënë për mediat se ka dëgjuar shkëmbime të teknaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve.

Po në ditën e parë, ish-Drejtori Politik i UÇK-së ka folur edhe para se të futet brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar ku ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kishin dalë ta mbështesin, tha se ky është çmimi për lirinë.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

Në afërsi të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë ka pasë vazhdimisht bashkatdhetarë – që dolën ta mbështesin Hashim Thaçin – me flamurin e UÇK-së në duar, duke brohoritur dhe kënduar këngë patriotike, si dhe me parulla që e kundërshtojnë Gjykatën Speciale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli.

Propozim-aktakuza u bë publike pa një konfirmim paraprak nga gjyqtari i procedurës paraprake, praktikë që nuk ndodh në drejtësinë ndërkombëtare.

Por, u tha se Prokurori i Specializuar e gjykoi të domosdoshëm nxjerrjen e njoftimit publik për, siç thuhet, shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thacit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Në ndërkohë, Hashim Thaçi ka vazhduar ta mbajë postin e presidentit. Ai është zotuar se do të japë dorëheqje nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme