Pas Istogut dhe Ferizajt, përçarje brenda Listës Guxo edhe në Gjakovë

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori i Listës Guxo në Gjakovë, Rrustem Leti ka thënë që janë kundër që të garojnë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, në Gjakovë.

Ai në emisionin “Frontal” në T7, ka thënë se akoma nuk e kanë mbajtur asnjë takim me zyrtarët e lartë të Iniciativës, për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

“Neve nuk na është mbajtur asnjë takim që t;i shprehim mendimet tona. Akoma edhe nga lista e VV-së nuk është ndonjë kandidat që do të garojë për komunë. Kjo është arsyeja pse ne jemi kundër”, ka thënë ai.

E këtë qëndrim, Leti tha se do ta mbajnë deri në një takim të ardhshëm me zyrtarët e Listës Guxo.

“Ne qëndrojmë kundër deri tek një takim i ardhshëm. Të shohim se a do të jetë kandidati i VV-së në Gjakovë që do t’i mbështesë interesat e qytetarëve ne do ta mbështesin, nëse jo atëherë do të jemi kundër”, ka thënë ai.

Më tutje, Leti në “Frontal” u deklarua edhe rreth qëndrimit të u.d. së kryetares së kësaj Iniciative, Donika Gërvalla, se do të garojnë në një listë të përbashkët me VV-në në zgjedhjet lokale.

“E kam pa qëndrimin qe e ka dhënë ajo, por paraprakisht nuk jemi kontaktuar nga askush në qendër që ka interesa që të shkojmë në zgjedhjet lokale bashkë. Qëndrimi ynë pra është kundër deri në një moment të ardhshëm të bisedimeve me qendrën”, deklaroi ai në “Frontal”.

Të ngjashme