Pas kërkesës së Presidentit Thaçi, BE-ja vëzhgon zgjedhjet e 6 tetorit

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot një letër nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherni.

Përmes kësaj letre, Bashkimi Evropian i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Thaçi për dërgimin e një misioni evropian, i cili do të vëzhgojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Do të doja t’ju falënderoj për letrën tuaj të datës 26 gusht 2019, duke e ftuar Bashkimin Evropian që t’i vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor. Pas ftesës suaj, unë kam marrë vendim për të dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve”, thuhet në letrën e përfaqësues së lartë të BE-së, Frederica Mogherini.

Në këtë letër ajo paralajmëron se shumë shpejt do të emërojë kryesuesin e këtij misioni, derisa stafi i tij pritet të vijë në ditët e ardhshme në Republikën e Kosovës.

Presidenti Thaçi, edhe më parë kishte bërë thirrje që zgjedhjet e 6 tetorit të jenë fer, demokratike dhe të mbikëqyren nga mekanizma ndërkombëtarë, shoqëria civile dhe mediat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme