Pas përçarjeve në Istog dhe Ferizaj, Peci bën thirrje për unifikim të Listës “Guxo”

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë të Listës Guxo në Istog e në Ferizaj nuk po dëshirojnë që të garojnë në  një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjet lokale të 17 shkurtit. Ata duan që të kandidojnë me listë për asamble ndaras nga partia me të cilën i bashkuan forcat në zgjedhjet nacionale, shkruan Gazeta Express.

E kjo mosmarrëveshje mes tyre, nxiti edhe reagimin e ministrit Faton Peci që vie nga radhët e Listës Guxo, ka kërkuar nga bashkëpartiakët që të jenë unitet dhe që të jenë zëri i ndryshimit.

Kështu ai tha se se vullneti i bashkëudhëtarëve të Listës Guxo nuk mund të tjetërsohet nga askush.

“Vullneti i bashkëudhëtarëve të Listës Guxo nuk mund të tjetërsohet nga askush. Lista Guxo është nismëtare e guximshme e ndryshimit. Si e tillë, duke kandiduar për herë të parë si listë ( në koalicion me VV-në), në frymën e një figure të jashtëzakonshme të konsistencës për drejtësi qytetare, mori mbështetje të pazakontë por jo të papritur marrë parasysh idealet për të cilat qëndron. Kjo Listë, përfaqëson shkëputjen nga mendësia e pushtetit dhe ngarendjen për pozitë me cdo kusht. Dhe, pikërisht për këtë arsye, nuk do të bie kurrë nën ndikimin e cilësdo tentativë për ta shfrytëzuar këtë guxim, e këtë ideal, për faktorizime vetanake apo mbështetje të lëvizjeve që nuk mbështeten në frymën e ndryshimit që u kërkua, dhe konfirmua më 14 shkurt. Me këtë rast, ftoj të gjithë mbështetësit e Listës Guxo, që edhe një herë të bëhemi zëri i ndryshimit që e kemi nisur me 14 shkurt, e që duhet ta përmbyllim më 17 tetor të këtij viti”, ka shkruar Peci në një postim në “Facebook”.

Për këtë çështje ka reaguar dje edhe ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj iniciative, Donika Gërvalla. Ajo tha se është vendim i tyre që edhe në zgjedhjet lokale të shkohet në një listë të përbashkët me LVV-në.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Lista Guxo në Ferizaj, ku thotë se do të garojnë të vetëm dhe jo me LVV-në.

Në reagimin e bërë për media, thuhet se vendimi i tyre është që të garojnë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale.

“Lista Guxo në Ferizaj me qëllim të informimit të drejtë , të saktë dhe sqarimit të opinionit publik, e rikonfirmojmë se me datën: 3 Korrik 2021 është marrë vendim që të garojmë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale. Procedurat e regjistrimit si iniciativë janë tashmë në proces sikurse edhe përgatitjet teknike”, thuhet në reagim.

Më tej, në reagim thuhet se “ne do të garojmë me 45 kandidatë për Asamblenë Komunale dhe kandidatin për Kryetar të Komunës e kemi lënë të hapur si mundësi”.

Kundër vendimit të Gërvallës kanë dalur edhe zyrtarët e kësaj Iniciative në Istog.

Të ngjashme