Pas rezultateve të zgjedhjeve, Besa Zogaj jep dorëheqje

Prishtinë | 20 Qer 2017 | 20:03 | Nga

Besa Zogaj – Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së në Prishtinë.

Rezultatet jo të kënaqshme të Degës së IV të LDK-së në Prishtinë në zgjedhjet e 11 qershorit, e kanë shtyrë Besa Zogajn të japë dorëheqje nga pozita e Kryetares së Forumit të Gruas në Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, ajo ka theksuar se pavarësisht dorëheqjes mbetet e angazhuar në LDK dhe në vizionin e saj për një Kosovë demokratike, me sovranitet të fortë dhe të zhvilluar ekonomikisht.

Postimi i saj i plotë:

Të nderuar anëtarë të LDK-së nga Dega IV në Prishtinë,

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, unë isha kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës. Ishte nderë dhe privilegj për mua që të jem kandidate e Degës IV të LDK-së në Prishtinë.

Duke marrë parasysh rezultatin preliminar të zgjedhje nacionale të 11 qershorit, në Degën IV ku kam qenë në cilësinë e kryetares së Forumit të Gruas dhe duke respektuar gjithë anëtarësinë e këtij Forumi, jap dorëheqje nga kryetarja e Forumit të Gruas Prishtinë, ndërsa mbetem e angazhuar në LDK dhe në vizionin e saj për një Kosovë demokratike, me sovranitet të fortë dhe të zhvilluar ekonomikisht.

Unë nuk jam e kënaqur me rezultatin e Degës tonë, por jam shumë optimiste se vizioni i LDK-së për liri, pavarësi dhe demokraci do të ngadhënjejë. Unë japë dorëheqje nga kjo detyrë, por ftoj gratë dhe vajzat, burrat dhe djemtë e Kosovës që t’i bashkohen LDK-së dhe strukturave të saj, sepse kjo është alternativa e vetme për të ndërtuar një Kosovë që duam.

LDK shpesh është përballur me sfida, por ajo ka fuqi të brendshme për t’i konsoliduar radhët dhe për tu kthyer fuqishëm në skenën politike. Pavarësisht rezultateve, LDK asnjëherë nuk ka bërë kompromise në dëm të interesave të shtetit dhe qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme