Pas shkarkimit të Agim Veliut, Isa Mustafa i reagon ashpër Lumir Abdixhikut

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 20:53 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbrëmë ka vendosur që kryetar i Degës së LDK-së, e po ashtu edhe kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës të jetë, Ekrem Hyseni.

E, me vendosjen e Hysenit në pozitën e kryetarit të degës së LDK-së, Agim Veliu nuk do të jetë më kryetar i kësaj dege.Për këtë vendim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur ish- kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa, ka thënë se nuk e ka të qartë atë që ka ndodhur mbrëmë.Madje ka shtuar se kjo nuk i bën aspak mirë LDK-së, dhe është një komplikim i situatës.“Nuk e kam as vet të qartë se çfarë ka ndodhur në rastin e Podujevës. Është një komplikim pa nevojë i situatës atje që nuk i bën mirë LDK-së”, ka thënë Mustafa për FrontOnline.

Mustafa, është pyetur edhe për kandidatët për kryetar të komunave që janë zyrtarizuar në mbrëmjen e djeshme nga kjo parti, por nuk ka dhënë përgjigje.Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se Agim Veliu nuk është shkarkuar nga pozita e kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë , por se është vetëm kalim i kompetencave.

Sipas tij, kryetari i deritanishëm i degës në Podujevë, Agim Veliu nuk ka shprehur interesim për të rikandiduar.“Me vendim të kryesisë, kandidati për kryetar të Podujevës nga LDK është Ekrem Hyseni. Kryesia e LDK-së i ka kaluar të gjitha kompetencat e degës dhe shtabit zgjedhor dhe të garës në Podujevë. Vendime të njëjta do të jenë pothuajse në secilën komunë. Kjo me qëllim të reformimit edhe të degëve. Kompetencat i kanë kaluar kandidatit për kryetar të komunës së Podujevës, nuk ka të bëjë me individ”, ka deklaruar Abdixhiku.

Agim Veliu, vendimin e LDK-së e ka quajtur ilegal, duke thënë se marrëveshja është bërë pa pëlqimin e tij.“Është ba një marrëveshje pa pëlqim. Kemi qenë duke diskutuar me e ba një marrëveshje të madhe e mi tejkalu të gjithat. Ata sot paskan marrë vendim ilegal, ilegjitim për mua. Është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Nuk ka të drejtë askush pa proces me e ndryshu kryetari, me zgjedhë, shkarku ose me e ngarku. Për këtë punë është Kuvendi”, ka thënë Veliu.

Ai është shrehur se në asnjë rrethanë nuk do të pajtohet me një vendim të tillë.

Të ngjashme