Pas shkrirjes së Ministrisë së Punës, Kurtit i kërkohet të trajtojë me prioritet politikat sociale

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 07:07 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale me anë të një letre të hapur i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që politikat sociale dhe mirëqenien e familjes t’i trajtojë me prioritet.

Në këtë letër të hapur, të publikuar të martën, ky institut ka ngritur shqetësime për mosekzistimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si një ministri e vetme, në strukturën e re qeverisëse. Sipas tyre, ende nuk është e qartë se ku do të bartet departamenti përkatës, i cili merret me politikat sociale dhe familjen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas ristrukturimit të ministrive në Qeverinë e re, në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, e cila do të udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, do të fuzionohen Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe dikasteri i Ndërmarrësisë i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Gazeta ka kërkuar përgjigje lidhur me planin për funksionimin e këtyre dikastereve në një të vetme, nga Zyra për medie e Qeverisë dhe nga zyrtarë të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, por ata që nga e hëna nuk kanë kthyer përgjigje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme