Pas shpenzimeve marramendëse: Deputetëve iu zbriten kompensimet, 5 euro minimumi – 150 tavani

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 11:52 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar propozimin e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve, raporton Ekonomia Online.

Për shpenzimet ditore të deputetëve ndahen 5 euro në ditë për pjesëmarrje në seanca plenare dhe mbledhje të komisionit.

Kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja, tha se shpenzimet maksimale që një deputeti mund t’i mbulohen brenda një muaji janë 150 euro.

 “Kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione, caktohet si vijon: deri në 30 km – 5 €, deri në 60 km – 10 €, dhe mbi 60 km – 15 €. Shpenzimet maksimale të udhëtimit që një deputeti mund t’i mbulohen brenda një muaji janë 150 euro. Deputetët duhet të deklarojnë vendbanimin primar dhe sekondar nëse kanë, në Administratën e Kuvendit, ndërsa listat e deputetëve që udhëtojnë dërgohen nga Kryetarët e Grupeve Parlamentare në administratën e Kuvendit”, tha Muja.

“5 euro tash kjo vlen vetëm për ditën kur ka seanca dhe ditën kur deputeti merr pjesë në komisione”, tha tutje Muja.

Deputetët duhet të deklarojnë vendbanimin primar dhe sekondar nëse kanë, në Administratën e Kuvendit, ndërsa lista e deputetëve që udhëtojnë dërgohen nga Kryetarët e Grupeve Parlamentare në administratën e Kuvendit.

Kryetari i Komisionit Armend Muja tha se Propozim i grupit parlamentar të VV-së është i arsyeshëm, dhe ka një tavan të shpenzimeve deri në 150 euro.

Përveç deputetëve të pozitës pro këtij vendimi ishin deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti, dhe deputetja Duda Balje. Kurse në votim nuk morën pjesë deputeti nga PDK, Mërgim Lushtaku dhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj.

Madje deputeti Pal Lekaj propozoi heqjen e të gjitha shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve.

“Sa i përket kësaj pike propozoj që të mos ketë fare kompensim. Nëse doni me shku me kursye buxhetin, po shkojmë komplet të hiqen shpenzimet e udhëtimit e punës në Kuvend. Nëse e shohim një hulumtim për pagat me i krahasuar me shtetet tjera me jemi më të dobëtit në rajon. Unë jam që kjo mos të diskutohet fate por të tërhiqen komplet prej pagesës”, tha Lekaj.

Ky propozim do t’i dërgohet edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme