Pas takimit me Thaçin, Meta lavdëron Kurtin

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 07:30 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur të premten në një takim homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi. Presidenti i Kosovës, Thaçi, deklaroi mbrëmjen e së enjtes në një prej mediave në Shqipëri se kishte ardhur në këtë vend për një vizitë miqësore, për të takuar liderët politikë për shkak edhe të zhvillimeve të fundit politike në të dyja vendet.

Për shkak të situatës së COVID-19 përshëndetjet e homologëve ishin me bërryla dhe “dorë në zemër”, që sigurisht nuk kaluan pa të qeshura mes tyre, shkruan KOHA.

Presidenti Meta ka treguar detaje nga takimi me Thaçin. Në një dalje për mediat nga Presidenca pas takimit me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, Meta tha se me Thaçin ka biseduar rreth zhvillimeve politike në Kosovë, siç ishte dhe ndryshimi i qeverisë së re. Mes të tjerash, Meta falënderoi për bashkëpunimin edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk kemi biseduar për trazirat në Shqipëri. Ajo që kemi biseduar është se Kosova të vazhdojë në rrugën e zhvillimeve demokratike. Vlerësoj se pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme edhe në raport me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pasur një transicion paqësor e demokratik të Qeverisë në Kosovë. Për këtë do të doja të përshëndesja edhe ish-kryeministrin Albin Kurti, të cilin e falënderoj shumë edhe për bashkëpunimin që kemi pasur me të gjatë këtyre muajve. Përsëri Kosova dha një shembull pozitiv të respektimit të institucioneve edhe kur nuk na pëlqejnë vendimet e tyre. Shpresoj shumë të ketë sa më shumë bashkëpunim për të gjitha sfidat që ka aktualisht. Ne do ta mbështesim gjithmonë vullnetin e popullit të Kosovës dhe do të respektojmë gjithmonë Kushtetutën dhe institucionet e Kosovës”, tha Meta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme