Pas vdekjes së 36 personave, Kurti: Do të rritet numri i inspektorëve dhe do zgjatet orari i policisë

Prishtinë | 29 Gus 2021 | 19:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është vendosur të rritet numri i inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të zgjatet orari i policisë nga 8 në 12 orë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se varianti Delta po tregon që është shumë agresiv dhe shpërndarës.

Kurti ka shtuar se infektimet krahasuar me vitin e kaluar janë shumë më të larta.

“Ne do të shqiptojmë gjoba për këdo që shkel masat, do të shtojmë policinë, ndërkaq inspektorët do të shtojnë kontrollet dhe mbikëqyrjen e zbatimit të masave në dyqane dhe qendra tregtare. Do të gjashtëfishojmë inspektorët në AUV. Lista e 85 inspektorëve që shtohen do të publikohet nesër dhe ata nisin punën gjatë javës. Orari i punës së pjesëtarëve të Policisë do të jetë 12 orësh”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se këtë javë është shkarkuar zëvendës kryeshefin e kësaj agjencie dhe se është emëruar ushtruesi i ri i detyrës që do të ndihmojë në shtimin më të shpejtë të këtij numri.

Tutje, ai tha se oksigjenimi qendror është shtrirë në secilin spital regjional.

Më tej, i pari i Qeverisë ka thënë se edhe të vaksinuarit mund të jetë shpërndarës e bartës.

“Nuk jemi të kënaqur me një lloj disipline që duhet të jetë dy herë dy javore e të vaksinuarve. U bëj thirrje qytetarëve, që gjatë dy javëve pas vaksinës edhe të parës edhe të dytës të kenë shumë kujdes. I ftoj qytetarët të mos përcaktohen vetëm për Pfizer, unë i kam marrë dy doza AstraZeneca. Gjendja e rëndë e cila ndodhemi është për shkak të variantit Delta”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti tha se Kosova ka buxhet të vogël dhe nuk është mundësia e vendeve perëndimore që të mbyllen qytetarët e t’i financojë shteti.

Të ngjashme