PDK: Arritëm ta pezullojmë vendimin e padrejtë të ZRRE-së për shtrenjtimin 100% të energjisë elektrike

Prishtinë | 09 Pri 2022 | 12:26 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës, ka fituar betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë Kurti, për ta parandaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë. Nëpërmjet vendimit të saj, Gjykata konstatoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do të shkaktoj dëm të pariparueshëm për qytetarët dhe se ky dëm do të manifestohet në aspektin financiar, përkatësisht në vështirësitë e qytetarëve që të përballojnë pagesën e faturave me tarifat e reja të energjisë elektrike, ngritja e të cilave është vështirë e përballueshme të mbulohet nga qytetarët, veçanërisht për faktin e rritjes enorme të çmimeve në shumë produkte esenciale të shportës familjare.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë sot në konferencë për media se pas një pune të madhe bashkë me ekipin e profesionistëve të PDK-së, është arritur një fitore e madhe për pezullimin e vendimit të padrejtë të ZRRE-së për shtrenjtimin 100 përqind të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.

“Gjatë kësaj periudhe të krizës energjetike, kemi pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh që ta argumentojmë para Gjykatës që vendimi i Qeverisë Kurti dhe ZRRE-së ishte i kundërligjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët e Kosovës. Ky vendim i Gjykatës, dëshmon se kompetenca dhe dija triumfojnë ndaj jo kompetencës dhe padijes”, ka theksuar Abelard Tahiri.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, tha se ky vendim i Gjykatës dëshmon se Qeveria ka marrë vendime shumë të dëmshme për qytetarët në kohën e krizës energjetike, andaj ai paralajmëroi se shumë shpejt do të themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar ku do të zbardhen të gjitha keqpërdorimet e qeverisë me fondet publike në kohën e krizës energjetike.

“Vendimi i Gjykatës ka rilegjitimuar të gjitha kërkesat e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndërhyrjet politike dhe pabarazinë në procesin e faturimit. Ky vendim I Gjykatës është argument shtesë për themelimin sa më parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për ta hetuar gjithë keqmenaxhimin e qeverisë gjatë krizës energjetike”, tha Shala.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci tha në konferencë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nëpërmjet diktatit dhe presioneve në institucionet e pavarura po i detyron ato të marrin vendime të kundërligjshme dhe në dëm të qytetarëve.

“Mbase qytetarët mund edhe t’ia falin Qeverisë koston e gabimeve si rezultat i jokompetencës dhe paaftësisë, por assesi nuk mund t’ia falin bakshishin për deformimin e skajshëm të vullnetit të tyre që të kenë furnizim të rregullt me energji dhe çmime të përballueshme”, tha Stavileci. PDK, në cilësinë e Paditësit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 18 mars 2022, ka dorëzuar Padinë për shfuqizimin e vendimit Nr. 077/22, të datës 16 shkurt 2022, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me të cilin ky institucion kishte aprovuar tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të furnizimit me shërbim universal.

Të ngjashme