PDK: Dënimi i grupit “Drenica 2”, tendencë e inkriminimit të luftës së drejtë të UҪK-së

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 15:13 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj dënimit të komandantëve e luftëtarëve të UÇK-së.

PDK përmes një reagimi për media ka thënë se më këto dënime jo drejta, haptazi vërehet tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UҪK-së dhe e krijimit të baraspeshës në mes luftës së drejtë të UҪK-së dhe agresionit të Serbisë.

“Ne vazhdojmë të besojmë në pafajësinë e luftëtarëve dhe në luftën e drejtë të UҪK-së, si dhe kërkojmë veprime që mbrojnë imazhin e drejtësisë. Nuk do të pajtohemi me aktgjykime që kanë për bazë motive tjera jashtë drejtësisë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

 Reagimi i plotë:

“PDK ka përcjellë me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së në secilin rast, e në veçanti në rastin Drenica. Në cilindo rast të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar çdo normë ndërkombëtare. Kjo edhe është vërtetuar në shumë raste, nga të cilat është tentuar të dëmtohen figura të larta çlirimtare dhe vetë lufta e drejtë e UÇK-së. Rasti i fundit tregon një shpërfaqje të re të një qasje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi ishte një tendencë e mohimit të vlerave tona sublime dhe dënimit të figurave të larta edhe në kundërshtim me vetë standardet e drejtësisë të njohura në botë dhe ligjet e Kosovës.
Me këto dënime jo të drejta, haptazi vërehet tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UҪK-së dhe e krijimit të baraspeshës në mes luftës së drejtë të UҪK-së dhe agresionit të Serbisë.
Shqetësim edhe më i madh për ne është se janë dënuar pa të drejtë, duke u cenuar edhe vetë sistemi i drejtësisë dhe nocioni drejtësi për qytetarin tonë.
PDK ka qëndrim të qartë për drejtësinë si sistem i pavarur, profesional dhe i pa anshëm, por në çdo rast të cenimit të këtij parimi, si në këtë radhë, fton institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare që të veprojnë sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare në çdo rast dhe të korrektojë çdo padrejtësi që është vërejtur gjatë këtij procesi gjyqësor, që nuk duhet të jetë pjesë e jetës juridike të një shteti demokratik.
Ne vazhdojmë të besojmë në pafajësinë e luftëtarëve dhe në luftën e drejtë të UҪK-së, si dhe kërkojmë veprime që mbrojnë imazhin e drejtësisë. Nuk do të pajtohemi me aktgjykime që kanë për bazë motive tjera jashtë drejtësisë.”(sic.)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme