PDK e gatshme t’i dëgjojë propozimet e opozitës për Demarkacionin

Prishtinë | 02 Tet 2016 | 17:35 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës shprehet e gatshme t’i dëgjojë propozimet e opozitës në lidhje me procesin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një çështje që nuk po gjen zgjidhje në Kosovë për më gjatë se një vit.

Reflektimi i Partisë Demokratike vjen në kohën kur kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo partnere me PDK-në në koalicionin qeverisës, ka ritheksuar se do të procedojë në Kuvend marrëveshjen aktuale, pavarësisht se ajo ishte kundërshtuar nga opozita dhe një pjesë e deputetëve të partive në pushtet.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Zenun Pajaziti, thotë se kohëve të fundit ka disa nisma në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të gjithë. Në të kundërtën, ai thotë se do të duhet të procedohet me marrëveshjen aktuale.

“Kohëve të fundit po shikohet mundësia dhe po bëhen përpjekje që të gjendet një konsensus, në mënyrë që edhe nga opozita, të ulemi, dhe shikojmë nëse ka ndonjë propozim tjetër se si ta zhvillojmë këtë proces tutje”.

“Në fakt, po presim që të ketë një normalitet në funksion të kësaj çështjeje, në mënyrë që të ulen të gjithë, edhe liderët e partive politike dhe të shihet nëse ka ndonjë ide tjetër. Nëse jo, atëherë procesi është i pashmangshëm. Marrëveshjet e tilla gjithsesi që duhet të ratifikohen në Kuvend”, deklaron Zenun Pajaziti për Radion Evropa e Lirë.

Kur është fjala për çështjet e cilësuara të interesit madhor, Partia Demokratike, nënvizon Pajaziti, është e gatshme të ulet me të gjithë, në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.

Në anën tjetër, opozita e konsideron Marrëveshjen aktuale me Malin e Zi për Demarkacionin si të dështuar dhe kërkon rinegocimin e procesit nga fillimi apo edhe procedimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Por, edhe opozita, nuk e përjashton si mundësi që nëse ka vullnet politik, këto hapa të bëhen së bashku me partitë në pushtet.

Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se ka rrugë për përmbylljen e përbashkët të çështjes së Demarkacionit. Por që, sipas tij, gjithsesi fillimisht duhet anuluar apo të shpallet e dështuar marrëveshja aktuale.

“Nuk është çështje e propozimeve, elaborateve dhe studimeve. Çështja është shumë e thjeshtë. Projektligji për Demarkacionin ka mbërritur në një fazë kur është tërhequr nga votimi në Kuvend dhe ka mbërritur në një fazë të kundërshtimit. AAK-ja ka kërkuar që ky version të rinegociohet me palën malazeze pa ndërmjetësimin ndërkombëtar ose të rrëzohet me votë në Kuvend, në mënyrë që më pastaj të hapet rruga zgjidhjes për këtë çështje siç kanë bërë plotë shtete në situata të ngjashme”, thekson Nitaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Bilall Sherifi nga partia Nisma për Kosovën thotë se qëllimi i opozitës në vazhdimësi ka qenë rrëzimi i versionit aktual të marrëveshjes me Malin e Zi dhe nisja e procesit nga fillimi për rinegocimin e gjithë marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare.

Kushdo që e dëshiron opozitën në procesin e demarkacionit, duhet që fillimisht ta rrëzojë marrëveshjen aktuale, thekson Sherifi.

“Më e mira do të ishte që të shkojmë së bashku me një marrëveshje paraprake pozitë e opozitë në Kuvend dhe ta rrëzojmë këtë marrëveshje me votë. Nga ai moment i gjithë procesi, pra edhe në Mal të Zi do të kthehej në pikën zero, ngase nuk duhet harruar që në Mal të Zi kjo marrëveshje është ratifikuar”.

“Pra, nga tërësia e procedurave dy të tretat kanë përfunduar, është nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të dyja vendeve, është ratifikuar nga Mali i Zi dhe tani ka mbetur vetëm ratifikimi në Kuvendin e Kosovës. Këtu, sapo të rrëzohet kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, i gjithë procesi do të kthehej në pikën zero”, thotë Sherifi për Radion Evropa e Lirë.

Në seancën e Kuvendit, që u mbajt më 1 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi ta tërhiqte Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit, duke e arsyetuar këtë veprim mes tjerash edhe me tensionimin tej mase të gjendjes së sigurisë në vend.

Ndërkaq, analistët kishin vlerësuar se Qeveria, mes tjerash e ka tërhequr Demarkacionin edhe për shkak të mungesës së votave për ratifikim, ngaqë në seancën e 1 shtatorit nuk ishte e pranishme Lista Serbe, si pjesë e koalicionit, si dhe për faktin që edhe disa deputetë të partive në pushtet nuk e mbështesin marrëveshjen aktuale.

Kundërshtimi i opozitës mbështetet në argumentet e tyre, sipas të cilave, me marrëveshjen aktuale për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Javëve të fundit, po qarkullojnë edhe dy ide apo nisma për tejkalimin e gjendjes së krijuar. E para ka ardhur nga Grupi Ballkanik për Politika si lehtësues i disa takimeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe së fundit, edhe partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje doli me një propozim pesë pikësh se si të dilet nga gjendja aktuale e krijuar rreth Demarkacionit.

Shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi, është vënë nga Komisioni Evropian edhe si kushti i fundit për Kosovën që të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave. (REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme