PDK e LDK kërkojnë nga Qeveria ta tërheqin Projektligjin për Byronë Shtetërore

Prishtinë | 07 Kor 2022 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë kërkuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të tërhiqet dhe të kthehet në pikën zero, raporton Ekonomia Online.

PDK dhe LDK e kanë konsideruar si antikushtetues dhe se i njëjti është kundërshtuar nga Komisioni i Venecias.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Qeveria po tenton të sjellë diçka antikushtetuese.

“Ky projektligj është antikushtetues duke kërkuar që i njëjti të shkoj në komisionin e Venecias. 90 për qind e projektligjit që e keni iniciuar është kundërshtuar nga Komisioni i Venecias. Shprehim vullnetin të bashkëpunojmë për secilin projektligj. Ju sot po synoni të sjellni diçka që nuk qëndron me kushtetutë. Po kërkojmë të njëjtin ta tërhiqni nga ky kuvend”, tha ajo.

Tërheqje të këtij Projektligji ka kërkuar edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

“Diskursi të mos jetë na dhe ju sepse per këtë temë jemi të gjithë. Nuk guxojmë që tekste të tilla të shkatërrojnë gjithçka të mirë në Kosovë. Ju e keni dërguar vetëm një projektligj dhe nuk keni marr rekomandim prandaj e keni dërguar në gjykatë”, tha Selmanaj.

Të ngjashme