PDK e mirëpret vendimin e Kushtetueses për rrëzimin e Hotit

Prishtinë | 21 Dhj 2020 | 23:16 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili e shpalli të të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi dhe kësisoj edhe Qeveria Hoti nuk është më legjitime.

Përmes një komunikate për media thuhet se PDK-ja do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe do të garojë me program dhe propozime konkrete për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë në të cilën e kanë futur partitë që kanë qeverisur vendin nga zgjedhjet e fundit.

Komunikata e plotë:

Partia Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili i hapë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë. 

Koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore. 

Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Që nga 6 tetori i vitit të kaluar, shumica e partive politike manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake. 

Përfundimisht, edhe sonte u vërtetua se “koalicioni i shpresës” që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte mashtrimi më i madh që iu bë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë për më shumë së një vit. 

Në zgjedhjet që duhet të mbahen sa më parë, Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe do të garojë me program dhe propozime konkrete për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë në të cilën e kanë futur partitë që kanë qeverisur vendin nga zgjedhjet e fundit.

Të ngjashme