PDK: Gjykatësi Haxhibeqiri i afërt me Vetëvendosjen

Prishtinë | 04 Dhj 2017 | 20:40 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka reaguar ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot rrëzoi ankesën për rinumërim në Prizren.

PDK e konsideron këtë vendim, si vazhdimësi të vendimit të Gjykatës Supreme. Kjo parti thotë se njëri nga gjykatësit e Supremes, Erdogan Haxhibeqiri, të gjithë të afërmit e tij, i ka të angazhuar në VV dhe kësisoj i janë vënë në mbrojtje të krimit, lejimit të vjedhjes dhe manipulimit të votave nga VV, ditën e zgjedhjeve me 19 nëntor.

PDK thotë se për shkeljet ka paraqitur prova dhe fakte konkrete me shkrim dhe video, me të cilat është i njohur edhe opinioni i gjerë publik.

“PDK në Prizren vlerëson se kapja e vërtetë e organeve të pavarura është bërë nga Klani i Molotovit dhe Vjedhësit e Votave (VV), dhe me këtë rast PZAP ka aplikuar standard të ri duke mos shqyrtuar provat konkrete të paraqitura nga ne dhe duke vendosur përkrah keqpërdorimeve të bëra në ditën e zgjedhjeve, ku bartja zig-zag e kutive nëpër klasa nga komisionarët dhe vëzhguesit e VV-së, është konsideruar si akt normal e që në të vërtetë bie në kundërshtim me të gjitha rregulloret e zgjedhjeve të lira dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”.

PDK thotë se do të vazhdojë t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike, për zbardhjen e keqpërdorimeve dhe dërgimin e verdiktit të qytetarëve në vend, duke mos hequr dorë asnjëherë nga kërkimi i anulimit të qendrave, ku ka pasur shkelje dhe kontrabandim të votës. “Është domosdoshmëri imediate transparenca e procesit të rinumërimit të votave për qetësimin e mbi 25 mijë demokratëve të Prizrenit”.

PDK, dega në Prizren, iu bën thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve në Prizren, që të jenë në pritje të vendimit nga Gjykata Supreme, ku do të bëjë ankesë, duke besuar në paanshmërinë dhe profesionalizmin e këtij organi. “Çdo tendencë për kontrabandim të zgjedhjeve është sulm ndaj demokracisë, votës së shenjët të qytetarëve dhe zhvillimit të jetës normale në qytetin e Prizrenit”, përfundon eragimi i Degës së PDK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme