PDK i shkon VV-së në takim, LDK dhe AAK ende s’kanë vendosur

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, kanë ftuar Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë tjera minoritare në takime të ndara.

Ftesës për t’u marrë vesh për konstituimin e institucioneve të reja ka vendosur që t’i përgjigjet PDK-ja.

“PDK do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Në LDK po presin zgjedhjen e kryetarit të ri të dielën për të vendosur edhe për këtë çështje.

Kështu tha për Klankosova.tv zyrtarja për media e kësaj partie, Gentiana Azemi.

“Për këtë çështje LDK do të vendosë pas Kuvendit të saj, domethënë pasi që ta mbyllë procesin zgjedhor për kryetar të partisë”.

Megjithatë, kryetari në dorëheqje LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar se do të jenë të hapur për biseda dhe dialog në konstituimin e institucioneve.

“LDK gjithëherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me molotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. Por,, se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë nuk mund të flas”.

Gjithashtu edhe partia e Ramush Haradinajt s’ka vendosur ende për përgjigjen që do t’i kthejë Vetëvendosjes.

Zëdhënësi i AAK-së Lulëzim Blaka ka thënë se ndërkohë do të marrin vendimin.

Kurti dhe Osmani në letër thonë se ftesat po i bëjnë me qëllim procesi i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e vendit.

“Është shumë me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ-së”, thuhet në ftesën dërguar këtyre partive.

Të ngjashme