PDK-ja akuzon Kurtin për dialogun: Braktise premtimin, nuk i pate në krah Vasfijen dhe Sarandën

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës akuzoi kryeministrin Albin Kurti se ka braktisur premtimin e dhënë për shkuarjen në dialogun me Serbinë pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka shkruar se Kurti në takim nuk i pati në krah as Vasfije Krasniqin dhe Saranda Bogujvecin, por shkoi para presidentit serb, Aleksandër Vuçiq sipas kushteve të këtij të fundit.

“Ky është Albin Kurti që sot e braktisi premtimin që ia kishte dhënë Ferdonije Qerkezit e Nusrete Kumnovës për të kushtëzuar uljen në tavolinën e dialogut me Serbinë me zbardhjen e fatit të fëmijëve të tyre”, ka shkruar ai.

Pas takimit me presidentin Vuçiq, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, Kurti deklaroi se i ka përmendur krimet e luftës të kryera nga forcat serbe dhe personat e gjetur.

“Edhe pse presidenti thotë se nuk di gjë, ka të tjerë që i dinë. Le t’i pyesim. Në Bosnje e Kroaci ka qenë e mundshme të thuhet se serbët e atjeshëm kanë qenë pjesëmarrës, në Kosovë s’kanë qenë askund krimet joshtetërore. E vërteta për krimet e Serbisë së Milosheviqit në Kosovë ndodhet në Beograd. Ne bëjmë thirrje që këta persona që janë gjallë e që ishin në pushtet në atë kohë të hiqen nga pozitat në Serbi e të merren në pyetje për të vërtetën kriminale të Serbisë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova ka nisur përgatitjet për paditjen e Serbisë për gjenocid, duke shtuar se ajo do të marrë kohë për përgatitje.

Të ngjashme