PDK-ja ende nuk e ka caktuar kandidatin për Prishtinë (Video)

Prishtinë | 18 Kor 2017 | 14:59 | Nga

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Prishtinë, Lirak Çelaj, ka theksuar se partia e tij ende nuk ka vendosur për emrin e kandidatit për të parin e Prishtinës, në zgjedhjet lokale të 22 tetor.

Ai në një intervistë për Telegrafin, dhënë gazetarit Muhamet Hajrullahu, ka deklaruar se nuk mund të thotë se koalicioni PDK – AAK dhe Nisma (PAN), do të shkojë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale të këtij viti.

“Nuk jam ne dijeni që është bërë marrëveshje e tillë, në mes partnerëve të koalicionit. Mendoj që secila komunë i ka specifikat e veta dhe jo gjithmonë koalicionet qendrore kanë reflektuar si ato lokale. Ka ndodhur që koalicioni me partitë që kanë qenë në koalicion në nivelin lokal, derisa në nivelin qendror kanë qenë opozitë”, ka shtuar Çelaj.

Sipas tij, “dega e PDK-së në kryeqytet e ka një qëndrim, e ai është që ta përkrah kryetarin e degës në këtë garë”.

“Mirëpo, niveli qendror e jep vendimin përfundimtar rreth kësaj çështje. PDK po punon në tërë Kosovën në listat për emrat e kandidatëve për kryetar dhe asamblist, që do të prezantohen para qytetarëve në zgjedhje lokale. Listat e kandidatëve do të bëhen publike në fillim të muajit gusht”, ka shtuar Çelaj.

Ai ka theksuar se rritja e intensitetit dhe angazhimit në degën e kryeqytetit, nuk lidhet domosdoshmërisht me atë se ai do të jetë pretendent për të parin e qytetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme