PDK-ja gjatë qershorit zyrtarizon kandidaturat për kryetarë të komunave

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 08:15 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) brenda qershorit pritet të zyrtarizojë shumicën e kandidaturave, raporton Ekonomia Online.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se janë duke u përpjekur që të zgjedhin kandidatët më të përshtatshëm për secilën komunë.

“Ne jemi duke bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet e vjeshtës PDK-në ta nxjerrin me rezultat sa më të mirë, kemi kandidatët që janë më të pëlqyer nga qytetarët e Kosovës. Jemi duke bërë përpjekje që në degët ku ende nuk kemi zyrtarizua kandidaturat t’i gjejmë ata që janë më të mirët mesin e mundësive që ka PDK-ja e që përfaqësojnë shoqërinë sa më gjerë, mandej të njëjtën çështje jemi duke e bartur edhe tek listat e asamblistëve”.

“Ju e dini që edhe në vitin 2017 kemi qenë partia me numrin më të madh të asamblistëve e kësaj radhe tentojmë të jemi partia me numrin e komunave më shumë të fituar. Jemi duke tentuar ta rikthejmë pushtetin në komunat që PDK-ja tradicionalisht ka pasur qeverisjen. Edhe sot kemi takime me degët, dhe gjatë javës do t’i prezantojmë disa prej kandidatëve dhe do jetë një proces i vazhdueshëm, planifikojmë që brenda qershorit ta përfundojmë çështjen e kandidaturave, në shumicën e degëve”,tha ai.

Tutje, Gjoshi tha se në zgjedhjet e kaluara e kanë pësuar si rrjedhojë e marrëveshjeve ndërmjet partive politike. Më tej, ai tha se beson që këtë vit nuk do t’i përcjell fati i njëjtë, pasi kanë marrëdhënie më të mira me partitë politike.

“Ne edhe herën e kaluar ishim partia me më së shumti komuna që fituam në raundin e parë, por si rezultat i marrëveshjeve politike në shumë komuna për pak vota arritën që të na marrin të tjerët siç është rasti me Prizrenin, Klinën, apo edhe me degë tjera. Kësaj here besoj që është ndryshe, kemi relacione më të mira me subjektet e ndryshme politike lokale, kështu që besoj kjo do na përkthehet në vota dhe rezultate më të mira”,theksoi tutje ai.

Ai thotë se kandidati i Prishtinës nga kjo parti do shënojë rezultat të mirë bashkë me ekipin e saj.

“Ne jemi duke pritur degën e Prishtinës që përfundimisht të na sjell kandidatin e saj, ata janë në komunikim me qytetarët dhe mendojmë që kandidati i Prishtinës duhet të përfaqësojë më gjerë sesa dega jonë këtu dhe për këtë janë konsulta që të krijohet një ekip më i mirë dhe të sjell rezultate më të mirë, dhe ne i kemi shanset goxha të mëdha duke pasur parasysh që janë provuar të gjithë në Prishtinë dhe kryeqyteti është në kaos, dhe mendojmë që ekipi ynë për Prishtinën do shënojë një rezultat të mirë”.

Më tej, Gjoshi thotë se zyrtarizmi i vonshëm i kandidatëve nga partitë e tjera, e ka vështirësuar punën e ballafaqimit.

“Përveç atyre që kanë qenë në pushtet e kemi pasë më të lehtë, pjesën tjetër jemi duke bërë edhe matje me qytetarët, jemi duke i zgjedhur kandidatët që kanë pëlqyeshmëri më së shumti nga qytetarët. Pra nuk janë thjeshtë njerëz që përfaqësojnë vetëm strukturën e partisë por janë njerëz të respektuar në mjediset prej nga përzgjidhen me fitua. Më vështirë po e bën që partitë tjera po janë shumë vonë në këtë çështje dhe nuk po i kemi kundërkandidatë që me e pa e me i ballafaqua me ta”, tha ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme