Edhe PDK-ja lëshon seancën, ofendime e përleshje ndërmjet deputetëve

Prishtinë | 06 Maj 2021 | 11:38 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi Parlamentar i PDK-së ka lëshuar sallën e Kuvendit, pas atij të LDK-së, raporton Ekonomia Online.

Në Kuvend është parandaluar një përleshje fizike ndërmjet ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe deputetëve të PDK-së, Ardian Kastrati dhe Memli Krasniqi.

Kastrati e ka quajtur “legen” ministrin Peci.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa, për pak sa nuk është përleshur fizikisht me deputetin e VV-së, Besim Muzaqi, për shkak të Gjykatës Speciale.

Menjëherë kanë ndërhyre deputetët tjerë që të mos vazhdojë përplasja.

Pas replikave të ashpra pozitë-opozitë, kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, dha pauzë deri në ora 12:00.

Replika të ashpra erdhën pas deklaratës së ministres Donika Gërvalla dhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, lidhur me Gjykatën Speciale.

Gërvalla tha se Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia, por është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë iu drejtua deputetëve të PDK-së “fajtor jeni ju”.

Ndërkaq, Tahiri i ka reaguar ministres Gërvalla, duke shtuar se është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.

Më pas situata u tensionua edhe pas fjalimit të Arben Gashit. Udhëheqësja e seancës, Saranda Bogujevci e VV-së, ia ndërpreu fjalën; për çka LDK-ja lëshoi seancën.

Tahiri i PDK-së ka kërkuar që seancat të mos i udhëheqë më Saranda Bogujevci, pasi sipas tij po krijohet situatë e pakëndshme.

Ai tha se për shkak të saj një pjesë e opozitës e lëshoi sallën, e prezentë nuk do të jenë as deputetet e PDK-së.

“Ju sot degjeneruat me udhëheqjen e kësaj seance. Opozita e lëshoi seancën. Ti nuk je ai që na tregon neve çka me folë, sepse e degjenerove seancën”.

“Kërkojmë që Kryesia të mblidhet dhe mundësisht ti mos m’i mbajtë seancat e radhës se po shkakton degjenerim. Pakujdesia e padijenia juaj e krijoi një situatë të pakëndshme, edhe ashtu po i vononi seancat”.

“Ne do ta lëshojmë këtë seancë, kërkojmë të mblidhet Kryesia e Kuvendit dhe te përcaktohet vazhdimi i kësaj seance”, tha ai.

Ndërsa, Bogujevci replikoi: “25 minuta ju kam pritë në këtë seance dhe 15 minuta në seancën e kaluar kur ju keni thirrë debat parlamentar”.

Të ngjashme