PDK-ja përgëzon institucionet për kthimin e kosovarëve nga Siria

Prishtinë | 20 Pri 2019 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur operacionin e institucioneve të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për kthimin e kosovarëve nga zonat e luftës në Siri.

“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se shoqëria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj kanë qenë jashtëzakonisht të vendosura në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit si dhe duhet të vazhdojnë edhe më tej me vendosmëri që të zbatojnë parimet e rendit tonë kushtetues dhe ligjor kundër çdo aktiviteti dhe personi që tenton, merr pjesë apo kryen vepra penale të kësaj natyre”, thuhet në deklaratën e partisë.

PDK-ja tha që kthimi, veçanërisht, i grave dhe fëmijëve është hap që duhet marrë si inkurajim për të punuar që të mos ketë më viktima që përfundojnë në zonat e luftës.

“Qytetarët e kthyer nga zonat e luftës kanë kaluar periudha traumatike dhe ne si shoqëri duhet të kemi mirëkuptim, të kontribuojmë në rehabilitimin e tyre si dhe integrimin e tyre në jetën tonë shoqërore”.

“Fëmijët e Republikës së Kosovës e kanë vendin në shkolla dhe e ardhmja e tyre nuk mund të manipulohet nga askush. Ky parim sot është bërë realitet dhe është kursi i duhur që duhet të ndjekim si shoqëri e përkushtuar për një rend liberal, e bazuar mbi vlerat më të larta të mirëkuptimit, tolerancës, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme