PDK-ja pret përmbysje të rezultateve në Prishtinë e Prizren

Prishtinë | 23 Nën 2017 | 09:45 | Nga

Abelard Tahiri, shef i shtabit zgjedhor të PDK-së, shpreson se pas numërimit të votave me kusht në Prishtinë dhe në Prizren Lëvizja “Vetëvendosje” do të përmbyset në dy komunat më të mëdha të vendit.

Rezultati i balotazhit të zgjedhjeve të fundit lokale nuk e ka kënaqur Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) pasi që pritjet kanë qenë më të mëdha. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së, Abelard Tahiri, njëherësh ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se megjithatë rezultati i balotazhit nuk e cenon forcën primare të PDK-së për përfaqësim qytetar.

Ai ka konfirmuar se në balotazhin e së dielës së kaluar PDK-ja ka pasur qëndrim të votojë kundër Shpend Ahmetit dhe “Vetëvendosjes” për shkak që, siç ka thënë ai, keqqeverisja katërvjeçare në kryeqytet duhet të marrë fund.

“Në Prishtinë, siç edhe është parë, vota jonë ka qenë përcaktuese për rezultatin pozitiv të Arban Abrashit”, ka bërë të ditur Tahiri.

Ai pret që në Prishtinë, njësoj si në Prizren, rezultati final të jetë ndryshe nga rezultati aktual pasi që ka vota të mjaftueshme me kusht që mund ta përmbysin “Vetëvendosjen” në këto dy qytete.

Tahiri thonë se pavarësisht humbjes së disa komunave nga kandidatët e PDK-së Kadri Veseli s’ka arsye të dorëhiqet nga drejtimi i partisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme