PDK-ja: Të bojkotojmë ty Vjosa Osmani, jo Kuvendin

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas deklaratave të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila sot pas mbledhjes së Kryesisë deklaroi se PDK që nga 3 shkurti po e bojkoton Kuvendin.

Këto deklarata të Osmanit, partia më e madhe opozitare i quan gënjeshtra, duke theksuar se bojkotin e kanë bërë ndaj znj. Osmani e jo ndaj Kuvendit.

“Znj. Osmani, jo bojkot Kuvendit, por bojkot ty! Vjosa Osmani edhe sot gënjeu publikisht para gazetarëve se PDK po e bojkoton Kuvendin nga data 3 shkurt kur u votua Qeveria. Kjo nuk është e vërtetë. As që do të ketë bojkot, siç do ajo. Bojkoti është për të dhe manipulimet e saja për të mekanizuar për lojëra të veta politike, institucionin më të lartë të vendit”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga PDK.

“Të gjithë qytetarët e kanë ndjekur seancën më 3 shkurt dhe deputetët e PDK-së ishin aty, madje të gjithë kanë diskutuar në atë seancë.

Ndërsa, deputetët e PDK-së nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në seancën tjetër të asaj dite për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sepse ajo ishte seancë klandestine. Deputetët e PDK-së janë njoftuar vetëm 5 minuta para asaj “seance”. Fare qartë u pa se ajo ishte seancë e përjashtimit tonë, për të mos pasur mundësi të marr pjesë opozita në të”, thuhet në komunikatë.

“Qëllimi i qartë i kësaj loje të rrezikshme ishte frika nga ballafaqimi me transparencën e shkarkimit të një kryetari Parlamenti dhe zgjedhja e një kryetari të ri si znj. Osmani, në rrethana më të paqarta politike dhe flirtim të rrezikshëm politik me Beogradin, përkatësisht Listën Serbe. Atë natë u shtjellua një precedan i rrezikshëm: Koalicioni me Beogradin dhe Listën Serbe i padeklaruar, do të mbajë të gjallë këtë qeveri dhe këtë pseudokryetare Kuvendi, e cila me çdo kusht synon të nxjerr jashtë Kuvendit udhëheqësin e opozitës!!!”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia Demokratike ka sqaruar po ashtu se në seancën e dytë të Kuvendit më 3 shkurt ku u votua për kryetarin e ri të Kuvendit, njëjtë si PDK, nuk kanë marrë pjesë edhe deputetët tjerë opozitarë por edhe disa nga pozita sepse nuk ishin ftuar me kohë.

“PDK kërkon që znj. Osmani të kryej obligimin ligjor, të kthej fotot e Presidentit dhe Adem Jasharit në vendin e vet. Po ashtu, të mbaj foton e ish-presidentit Rugova në kabinet dhe të luaj rolin e vet kushtetues si spikere e Kuvendit, siç duhet ta ketë!  PDK si lidere e opozitës nuk do të merret me znj. Osmani por me oponentët tanë politikë. Por, ajo duhet ta kuptojë se do të bojkotohet derisa të ndalojë shkeljet ligjore në institucionin e Kuvendit”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme