PDK-ja: Vetëvendosje shkaktarja e vetme e krizës, po i shmanget përgjegjësisë qeverisëse

Prishtinë | 20 Jan 2020 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës po i përcjell me shqetësim zhvillimet e këtyre pothuaj katër muajve të fundit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, të cilat po e vazhdojnë fushatën parazgjedhore, por me mjete të tjera dhe në dëm të Kosovës.

Parimet e tyre të prezantuara zëshëm janë shndërruar në pazare për karrige dhe asgjë tjetër. Partia Demokratike e Kosovës është e bindur se përgjegjësia për t’i formuar institucionet e reja i takon fituesit të zgjedhjeve dhe nuk bën të dëmtohet ky koncept i shëndoshë në demokracinë e re të Kosovës.

PDK ka treguar konstruktivitetin e saj duke pranuar rezultatin zgjedhor dhe kaluar në opozitë menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit. Nuk ka bërë asnjë ankesë në Gjykatë Supreme për të zvarritur certifikimin e procesit zgjedhor. Për më tepër, e ka lënë veten në mënyrë të qartë jashtë ekuacioneve e tavolinave të bisedimeve për qeverisje, duke u deklaruar pa asnjë ekuivok dhe ripotencuar se do të qëndrojë në opozitë.

Prandaj, çdo përpjekje për të gjetur justifikime, ose për të tjetërsuar përgjegjësitë në këtë vonesë nga Lëvizja Vetëvendosje, është e papranueshme. Kjo parti politike është shkaktarja kryesore e vonesës aktuale dhe dhënia fund e kësaj krize është tërësisht në dorën e saj. Qeveria ka dhënë dorëheqjen që më 29 korrik të vitit të kaluar.

Faji dhe fati për qeverisjen e re është vetëm në dorën e Vetëvendosjes që prej 106 ditëve. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse, por qytetarët e Kosovës do t’i kuptojnë shpejt mashtrimet dhe iluzionet që ata kanë kultivuar si dhe të shohin dështimin e ideve që kanë promovuar. PDK si parti opozitare do t’i mbajë llogaridhënëse dhe nuk do të lejojë të zhbëhen arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme