PDK: Komuna e Prishtinës po shërben si vendstrehim i militantëve të VV-së

Prishtinë | 23 Kor 2017 | 11:29 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka ngritur shqetësime për mbushjen e Komunës së Prishtinës me militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, që si të punësuar nuk janë as qytetarë të Prishtinës, për të cilët janë harxhuar rreth 3 milionë euro para të taksapaguesve, raporton Ekonomia Online.

Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka thënë se sipas raportit të Auditorit Gjeneral, Lëvizja Vetëvendosje, për dy vjet ka punësuar kundërligjshëm 486 njerëz me kontrata të veçanta, duke i shkelur të gjitha ligjet dhe procedurat.

“Pagat e këtyre mercenarëve politikë i kanë kushtuar rreth tre milionë euro qytetarëve të Prishtinës në vitet 2015-2016”, ka thënë Cakolli.

Ai ka thënë se këto fakte rëndohen edhe më shumë kur kemi parasysh se rreth 300 prej personave të punësuar në këto dy vjet, sipas informacioneve brenda Komunës së Prishtinës dhe nga qytetarët e shumtë të Prishtinës, janë militantë të Vetëvendosjes nga komunat e tjera të Kosovës.

“Shumica dërrmuese e këtyre të punësuarve janë pjesëtarë të sekretariatit të brendshëm të kryebanditit mollotovian Dardan Molliqaj dhe jo aktivistë të rëndomtë të kësaj partie. Pra, këta persona janë bandë e tij dhe jo aktivistë të zakonshëm politikë”, ka thënë Cakolli.

Cakolli ka thënë se këta persona të dyshimtë edhe për veprime të tjera delikuente përdoren si mercenarë politikë.

“Edhe për të djegur vetura zyrtare, edhe për t’i sulmuar zyrtarët e shtetit, edhe për të hedhur gurë dhe mollotov mbi policinë e vendit. Pra, për gjithçka të keqe. Madje, produkt i tyre janë edhe banda e zollës, e cila është në proces gjyqësor për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, këta i shërbejnë Vetëvendosjes në forma të ndryshme, por edhe kërcënojnë, shantazhojnë, linçojnë nëpër rrjete sociale dhe demolojnë, si dhe i përcjellin personat dhe grupet me direktiva të Dardan Molliqajt.

Sekretari i PDK-së në Prishtinë ka prezantuar edhe një përmbledhje të fotografive të disa prej të punësuarve në Komunën e Prishtinës.

“Pra, përfundimisht, sot Komuna e Prishtinës qeveriset më së paku prej prishtinasve. Në Komunën e Prishtinës, siç e patë edhe nga materiali i prezantuar, më së paku punësohen qytetarë të Prishtinës”, ka thënë ai.

Cakolli ka theksuar se taksat e prishtinasve në vend që të shkonin për ndërtimin e çerdheve, ambulancave, anekseve shkollore apo terreneve sportive për të rinjtë, po shfrytëzohen në masë të madhe për financimin e VV, raporton EO.

Kurse, asamblistja e PDK-së në Komunën e Prishtinës, Laura Zherka, ka thënë se me këtë paligjshmëri perfide ata kanë dëmtuar rëndë buxhetin e taksapaguesve prishtinas dhe, për më keq, kanë financuar blerjen kriminale të votës në gjithë Kosovën.

Të ngjashme