PDK konfirmon ofertën, fton partitë t’i lënë interesat vetjake

Prishtinë | 04 Gus 2017 | 16:07 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) thotë se është e gatshme të angazhohet me subjektet politike për të shmangur krizën politike, por në asnjë mënyrë nuk lejon të cenohet karakteri kushtetues dhe demokratik i institucioneve të Kosovës.

Partia Demokratike, nëpërmes një komunikate shtypi, thekson se asnjëherë nuk është udhëhequr prej mendësive bllokuese dhe deri më tash ka lëshuar rrugë shumë herë, duke lënë anash interesin partiak në dobi të ruajtjes së unitetit dhe interesit të shoqërisë dhe shtetit.

“Si subjekt politik, për ta shmangur krizën politike, ne e kemi bërë publike edhe ofertën tonë, e cila është vetëm në shërbim të krijimit sa më të shpejtë të institucioneve dhe në asnjë mënyrë nuk do të bëhet për të kënaqur animozitetet individuale apo partiake të të tjerëve”.

Partia Demokratike apelon te të gjitha subjektet politike parlamentare, që t’i braktisin mendësitë bllokuese, t’i lënë anash interesat partiake dhe egot personale, si dhe të kontribuojnë për krijimin e institucioneve shtetërore.

PDK thekson, bashkë me partnerët e saj të koalicionet, mbesin të përkushtuar që të formojnë institucionet e Republikës së Kosovës mbi vullnetin e shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme