PDK kundër shtyrjes së zgjedhjeve – Abdullahu: Qeveria ka hall tjetër, s’i mbrojmë marifetet e Kurtit

Prishtinë | 08 Sht 2021 | 13:57 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), po e konsideron të panevojshme shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Madje zëdhënësi i kësja partie, Faton Avdullahu në një prononcim për Ekonomia Online tha se kjo parti është kategorikisht kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Deklarimet që vijnë nga VV-ja për mundësinë e mosmbajtjes së zgjedhjeve, për Avdullahun janë të papranueshme, ngase sipas tij, po synohet që të mbulohen dështimet.

Ai pohon se ekzekutivi nuk ka arritur që të menaxhojë situatën me pandeminë, prandaj edhe është zbehur vlerësimi kundrejt kësaj partie nga qytetarët.

“Ne si Parti Demokratike konsiderojmë se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen, ato duhet të mbahen ashtu sikur është vendosur më herët dhe për shkakun se nuk ka në asnjë variant argumente dhe vlerësime të drejta që të na japin konstatime se kjo Qeveri brenda një periudhe të caktuar ka për të përmirësuar  gjendjen për të mirë dhe sidomos duke pasur parasysh asaj se çfarë po ndodh e kemi shumë të vështirë t’i besojmë kësaj Qeverie për mbrojtjen e qytetarit nga pandemia, prandaj do t’i shtyjë zgjedhjet”.

Madje ai thotë se Qeveria Kurti ka arritur deri në atë pikë sa të mos mendoj për jetën e qytetarit, por të nxirret nga situata e keqmenaxhimit me pandeminë.

“Kjo Qeveri ka hall tjetër kur do të shtyjë zgjedhjet, pasi ka vërejtur se mënyra sesi ka menaxhuar me pandeminë, apo thënë më saktë mënyra se si nuk po di të menaxhojë i ka ulur vlerësimin pozitiv edhe perceptimin nga ana e qytetarëve për të bërë diçka mirë. Prandaj kjo është arsyeja pse ka propozim që të shtyhen zgjedhjet dhe jo të mbrohet jeta e qytetarit”.

Në rast Qeveria do kishte reaguar shpejtë dhe do dëgjonte këshillat e ekspertëve shëndetësor në lidhje me pandeminë dhe variantin Delta, Abdullahu thotë se edhe PDK-ja do kishte qëndrim tjetër, por asnjëherë të mbrohen marifetet e Kurtit, raporton EO.

“Po të ishte në rrethana tjera, apo po ta kishim një qeveri që ka reaguar shpejtë dhe i është përgjigjur thirrjeve dhe rekomandimeve se duhet reagoni kështu apo ashtu, dhe t’i dëgjonte me vëmendje profesionistët dhe mjekët lidhur me variantin e ri Delta atëherë ka sens dhe ne do të themi që po do mund të shtyheshin zgjedhjet, andaj ne nuk mund të marrim pjesë si PDK për ta dëmtuar procesin demokratik me shtyrje të zgjedhjeve dhe për të mbrojtur marifetet e Qeverisë Kurti”, përfundoi ai.

Ideja e shtyrjes së zgjedhjeve erdhi pas një deklarate të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili tha se me këtë situatë të rënduar të pandemisë do të ishte për shtyrjen e zgjedhjeve.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë ndonjë qëndrim nëse janë pro ose kundër shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të situatës pandemike, por tha se kjo çështje vlerësohet nga institucionet përkatëse.

Të ngjashme