“PDK, LDK, VV, fyt-a-fyt për vendin e parë në sondazhe”

Prishtinë | 26 Gus 2019 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Analisti Fisnik Halimi ka thënë se sondazhet e fundit tregojnë se PDK, LDK dhe Vetëvendosje janë tri partitë pretendente për vendin e parë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai ka thënë se ‘janë këto tri parti që sillen në vendin e parë’.

“Secila nga këto mund të jetë edhe e para, edhe e dyta edhe e treta. Nuk shoh që ka krizë në PDK sepse numrat nuk thonë ashtu. Prej PAN –it e këndej PDK është pakëz më mirë me vota. Fituesi mund të jetë edhe LDK, edhe PDK edhe VV, nuk duhet ta përjashtojmë asnjërën prej këtyre subjekteve sepse realiteti flet kështu. I kemi tri parti të mëdha që përafërsisht sillen në të njëjtat shifra”, ka thënë Halimi në Frontal.

Analisti Fisnik Halimi thotë se me zgjedhjen e Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre nga radhët e LDK’së, trashëgimia e Ibrahim Rugovës në LDK, mori fund.

“Trashëgimia e Ibrahim Rugovës mori fund. Tregon qartë që trashëgimia që ka lënë Rugova mori fund. E shoh që gara tash do të zhvillohet ndaras sepse zonja Osmani është një fenomen elektoral”, ka thënë Halimi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot ka nominuar Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre. Osmani në këtë garë, ka arritur të fitojë brenda partisë përballë Lutfi Hazirit.

Të ngjashme