PDK mban Konventën, politikën do ta kthejmë në shërbim të qytetarit

Prishtinë | 25 Mar 2017 | 15:51 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të shtunën, ka zhvilluar punimet e Konventës së 8-të të Punës. Delegatët e Konventës u kanë vazhduar mandatin organeve drejtuese të partisë deri në përfundim të vitit elektoral.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka theksuar me këtë rast, se politika e PDK-së do të jetë në shërbim të qytetarëve të vendit, duke garantuar thellimin e fuqizimit të partneritetit me SHBA-në dhe Bashkimin Europian.

“Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka identitetin e tij të fuqishëm politik dhe ne, Partia Demokratike e Kosovës, garantojmë pacenueshmërinë e tij. Janë njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës, ata që kanë meritat më të mëdha për partneritetin e vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Bashkimin Evropian dhe gjithë botën demokratike. Me vizionin tonë, me besimin e marrë nga qytetarët e Kosovës, ne garantojmë thellimin dhe fuqizimin e këtij partneriteti”, ka theksuar Kadri Veseli.

Kryetari Veseli, theksoi më tutje, se pavarësisht dilemave, ushtria e Kosovës do të bëhet dhe se do të tejkalohet çdo sfidë e barrierë për integrim të vendit në NATO e BE, ashtu sikurse janë tejkaluar sfidat për çlirimin e vendit.

“Ne do ta bëjmë Ushtrinë e Kosovës. Do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuuese të paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare dinjitoze të NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan gjatë lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës” ka thënë Veseli.

Më tutje Veseli theksoi se në ditët e ardhshme, PDK-ja, do të marrë përgjegjësinë që politikën t’ia kthej qytetarit duke u shprehur se ky është parimi fondamental i veprimit tonë politik dhe institucional.

”Kosova po ecë në drejtimin e duhur, por mund të ecim edhe më shpejt, mund të kemi më shumë zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punë”, ka potencuar Veseli.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nga maji i vitit të kaluar, kur delegatët e kësaj Konvente, morën vendim për zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar të partisë, treguan se nuk është fazë e re vetëm për PDK-në por fazë edhe për Kosovën.

“PDK-ja do të jetë shpresa, besimi dhe optimizmi për qytetarët e Kosovës Ne vazhdojmë të mbesim partia më e madhe politike në vend, me shtrirje nacionale dhe me mbështetjen më të madhe elektorale. Ne e kemi ruajtur unitetin e partisë, dhe aktualisht jemi partia më e organizuar në rajon” tha ndër të tjera zëvendëskryetari Hoxhaj.

Bajrush Xhemajli, nënkryetar organizativ i PDK-së, falënderoi të gjitha strukturat nëpër degët e PDK-së, ndërsa Justina Shiroka Pula, kryetare e Gruas Demokratike, pohoi se lidershipi i PDK-së, bashkë me kryetarët e Degëve, të angazhohet që të zbatohet vendimi i kryetarit dhe strukturave drejtuese të partisë, për rritjen e përqindjes së gruas në kuotën 40 përqind.

Në debatin për zhvillimet politike ndërmjet dy Konventave, qëndrimet e tyre i shprehen Ramiz Lladrovci, Safete Hadergjonaj, Halit Selimi, Bujar Cakolli, Selvije Halimi, Xhevdet Smakiqi, Safet Hoxha, Ramiz Shala, Donika Ahmeti, Andin Hoti, Izmi Zekaj, Naim Ismaili, Bislim Zogaj, Shukri Buja, Labinot Smakaj, Arsim Bajrami, Gani Koci.

Pas një debati të gjerë, anëtarët e Konventës miratuan plotësimin dhe ndryshimin e statutit. Në vazhdim u lexua dhe aprovua deklarata politike, duke inkorporuar në të edhe propozimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që në atë deklaratë të fuqizohet roli i diasporës, duke qenë e përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga tre deputetë të diasporës.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme