PDK: Mikullovci po abuzon me institucionin e Kuvendit

Prishtinë | 14 Gus 2017 | 12:32 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në një konferencë shtypi, ka akuzuar kryesuesin e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes se po abuzon me institucionin e Kuvendit, duke mbajtur seancë dhe lejuar debat në Kuvend, pa praninë e deputetëve të subjektit të parë që doli në zgjedhje.

Besim Beqaj, anëtar i Kryesisë së PDK-së, tha se Adem Mikullovci, po e keqpërdor ulësen të cilën “e ka fituar rastësisht” si deputeti më i vjetër, duke lejuar debat ende pa u konstituuar Kuvendi, raporton Ekonomia Online.

“Të mendosh të mbashë seancë me 55 deputetë dhe të abuzosh me mediet, të abuzosh me qytetarët, është e papranueshme”, tha Beqaj.

Megjithë vonesat, ky zyrtar i PDK-së konsideron se nuk ka krizë politike. “PAN nuk është bllokues. Kemi nevojë për konsulta shtesë dhe shumë shpejt do t’i formojmë institucionet”.

Sipas tij, nuk mund të mbahet debat pa u konstituuar Kuvendi dhe zgjedhur kryetari e nënkryetarët.

Nga ana tjetër, Beqaj tha se përfaqësuesit e PAN-it do të shkojnë në takimin konsultativ që Mikullovci sot e paralajmëroi se do ta thërrasë këtë të mërkurë.

Anëtari tjetër i Kryesisë, Fehmi Mujota, përsëriti se kandidat i PAN-it për kryetar të Kuvendit është Kadri Veseli. Edhe Mujota u shpreh se “pas konsultimeve të nevojshme”, institucionet do të formohen së shpejti.

Të ngjashme