PDK në Ferizaj: Në AAK kaluan disa pronarë të bastoreve e kazinove

Prishtinë | 11 Sht 2019 | 00:21 | Nga Ekonomia Online

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj demanton publikisht deklarimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, se në Greme të Ferizajt, mbi 250 anëtarë të PDK-së iu bashkuan këtij subjekti politik.

Sipas PDK-së, vërteta qëndron krejtësisht ndryshe. “anë dhjetëra të pakënaqur që kanë ndërruar subjektin politik dhe kjo si pasojë e aksioneve të pushtetit lokal në Ferizaj kundër kriminalitetit dhe veprimeve të paligjshme që ka rezultuar me mbylljen e bastoreve dhe kazinove me pronarë e menaxherë një pjesë të këtyre “të aderuarve” në AAK”, thuhet në reagimin e kësaj dege.

PDK në Ferizaj konsideron se manipulimet e tilla të opinionit publik janë qëllimkëqija dhe fare larg garës fer e demokratike për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, madje duke promovuar edhe shembullin e keq sesi një grup individësh që sfidonin shtetin në luftë kundër basteve e kazinove, priten me entuziazëm dhe promovohen si prurje në këtë subjekt politik.

PDK në Ferizaj thotë se ka të konsoliduar një mekanizëm të fuqishëm strukturor në shërbim të zgjedhjeve fer e demokratike, madje fshati Greme është sinonim sesi qeverisjet e Partisë Demokratike të Kosovës kthejnë një fshat të tërë në kantier pune e terren të investimeve lokale e qendrore. “Kjo qasje e pushtetit lokal të udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdoj me intensitet të shtuar që gremasve t’i ofroj atë çfarë meritojnë, pa kauza të rrejshme siç promovojnë subjektet tjera politike”.

Të ngjashme