PDK në Fushë-Kosovë thotë se ata që u larguan u dorëzuan para reformave

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Dega e Partisë Demokratike në Fushë-Kosovë ka reaguar ndaj largimeve të disa anëtarëve të saj.

Kjo parti vlerëson se të tillët janë dorëzuar në garën për demokratizimin e partisë dhe si të tillë nuk përfaqësojnë vlerat e tyre.

Nga zgjedhjet e brendshme në Degën e PDK-së në Fushë-Kosovë ka dalë një strukturë aktive dhe legjitime, me qëllim të qartë dhe vizion, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj dege.

“Rezultatet zgjedhore në të kaluarën kanë treguar më së miri strukturimin dhe funksionimin që kishte kjo degë”.

“Vullneti i anëtarësisë së PDK-së në zgjedhjet e brendshme ka qenë reformimi dhe gara demokratike. Ata që janë dorëzuar përballë këtij vullneti kanë vendosur t’i ndajnë rrugët me PDK-në dhe më nuk përfaqësojnë asgjë nga vlerat e degës së kësaj partie në Fushë-Kosovë. Ne i falënderojmë ata që me dekada kanë dhënë kontribut në këtë parti dhe janë krah nesh për forcimin e PDK-së dhe fitoren e saj në Fushë-Kosovë. Vullneti i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe i anëtarësisë ishte edhe lirimi nga funksionet dhe pozitat drejtuese të disa prej njerëzve në këtë degë, duke iu dhënë mundësinë që të jenë pjesë e PDK-së dhe ata kanë shkuar në parti tjera për të zhvilluar aktivitetin politik”.

“Procesi reformues dhe demokratik i PDK-së po përcillet me frymë të re, me aktivitet dhe punë të vazhdueshme. Strukturat dhe aktivistët e devotshëm të PDK-së janë duke punuar në çdo lagje e në çdo shtëpi në Fushë Kosovë. Vizioni i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për luftë ndaj korrupsionit e nepotizmit po përqafohet nga qytetarë të shumtë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme dhe ne ftojmë të gjithë ata që kanë vullnet dhe besim për të bërë ndryshime në vend, veçmas në Fushë Kosovë, të bashkohen me ne në rrugëtimin e përbashkët. Dera jonë është e hapur për të gjithë ata që besojnë në vizionin e Dekadës së Re”, përfundon komunikata për shtyp e Degës së PDK-së në Fushë-Kosovë.

Të ngjashme